Me 153 vota pro, 140 kundër dhe një abstenim, parlamenti grek ka ratifikuar protokollin i pranimit të Maqedonisë Veriore në NATO. Në votimin nominal kanë votuar pro protokollit, përveç deputetëve të Syrizës, edhe 8 deputetë të pavarur.

Edhe kësaj here, seanca parlamentare që zgjati rreth 11 orë, është karakterizuar nga debate të ashpra politike, sidomos midis kryeministrit Tsipras dhe liderit të opozitës, Mitsotakis.

“Për shkak se Syriza na ka kritikuar pasi disa deputetë të Demokracisë së Re kanë deklaruar se asnjëherë nuk do t’i quajnë fqinjët “maqedonas”, ka edhe mënyra të tjera për t’i përshkruar ata. Unë nuk do të them kurrë që mirëpres kryeministrin maqedonas në vend, do të pres ta thoni ju zoti Tsipras”, tha lideri i Demokracisë së re, Kyriakos Mitsotakis.

“Z. Mitsotakis, unë do ta thërras ashtu siç më jep të drejtë marrëveshja dhe ashtu siç do ta thërrasin dhe udhëheqësit e tjerë në botë. Do ta mirëpres si kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, si kryeministër sllavo-maqedonas, sepse edhe këtë të drejtë ma jep marrëveshja. Kurse ju thoni se këtë nuk do ta bëni kurrë. Nuk do ta bëni vërtet për dy arsye, e para se nuk ju lë tendenca nacionaliste e partisë suaj dhe e dyta sepse nuk do të bëheni kurrë kryeministër”, iu kundërpërgjigj Tsipras.

Në debat, madje duke shkëmbyer vargje poezish me kryeministrin, është përfshirë edhe kreu i Grekëve të Pavarur, Panos Kammenos, deri dje aleat qeveritar, i cili për shkak se ka përjashtuar një prej deputetëve të tij që ka votuar pro marrëveshjes, ka humbur të drejtën e përfaqësimit me grup parlamentar në kuvend, pasi ka më pak se 5 ligjvënës.

Me këtë votim Greqia u bë vendi i parë anëtar i NATO-s që miratoi Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancën e Atlantikut Verior, duke hapur rrugën e hyrjes në fuqi të plotë të Marrëveshjes së Prespës dhe duke zyrtarizuar emrin e ri të fqinjit verior.

Pritet që shumë shpejt edhe 28 anëtarët e tjerë të NATO-s, të procedojnë në ratifikimin e protokollit, duke bërë të mundur anëtarësimin me të drejta të plota të Maqedonisë së Veriut.

Top Channel