“Pse e mbajti 7 orë aty dhe na e dha në fund që e ngriti në këmbë dhe ai mbaroi aty? I thashë, po i ndodhi gjë djalit nuk do e përfundojmë mirë”.

Drita dhe Bajram Ramaj kërkojnë drejtësi për djalin e tyre që e humbën në moshën 43-vjeçare. Ditën e fundit të vitit ata e kaluan në dyert e Prokurorisë Fier, duke kërkuar një përgjigje se përse vdiq i biri. Më 23 dhjetor, Besniku që vuante nga diabeti u shtrua në gjendje të rëndë në urgjencën e spitalit dhe vetëm pas 7 orësh e nisën me ambulancë drejt Tiranës, ku humbi jetën rrugës, vetëm pak kilometra larg Fierit.

Pak ditë më parë, Gjykata e Fierit pezulloi nga puna dy mjekët Blendi Dhespollari dhe Emiljano Myrtaj, ndërsa caktoi masën detyrim paraqitje për kardiologun Viktor Gjini, i cili vazhdon ende të punojë. Që të tre akuzohen për “mjekim të pakujdesshëm” dhe “mosdhënie të ndihmës”.

“Mënyra si është mjekuar e dinë ata, por djali ishte i vdekur sa morëm rotondon. Firmën ma morën mua për transferimin, por kohëzgjatja mua më fut në dyshim. Për mua nuk ka pasur mjekë ta ndihmojnë këtu”, deklaroi babai.

Besniku, baba i tre fëmijëve nuk jeton më. Dhimbja tek të afërmit nuk do të shuhet, por prindërit jetojnë me shpresën se do të kuptojnë çfarë i ndodhi të birit dhe ndoshta që ky rast dhe ndëshkimi nëse mjekët gjenden fajtorë do të ndihmojë për të shpëtuar jetë.

Top Channel