Të paktën 40 milionë tifozë ndoqën në Kinë ndeshjen e kampioantit spanjoll të futbollit mes Villarreal dhe Espanyolit.

Edhe pse një përballje që nuk premtonte shumë spektakël, e nuk kishte në fushë yje të kalibrit të Realit apo Barçës, sfida në stadiumin “El Madrigal” zgjoi kërshëri të madhe në kontinentin aziatik, madje të denjë për një finale Botërori.

Gjithçka ishte meritë e Wu Lei, sulmuesi 27-vjeçar kinez që u ble nga Espanyol prej ekipit të Shangai SIPG në muajin janar.

Bashkëkombasit e futbollistit ishin të entuziazmuar për transferimin e tij në një prej kampionateve më të fortë të planetit, e po kaq të emocionuar edhe drejtuesit e Espanyolit, që bënë një goditje kaq efektive në rang marketingu dhe promovimi të imazhit.

Sulmuesi aziatik luajti vetëm 12 minuta në ndeshjen që u mbyll në barazim 2-2, por mjaftueshëm për të rritur shitjet “online” të fanellës së Wu Lei. Edhe prezantimi i futbollistit kinez ishte një sukses më vete për ekipin e qytetit të Barcelonës. Profilet në rrjetet sociale pësuan rritje të madhe, e po kështu edhe kërkesat për fanella.

Top Channel