Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara në Kosovë dhe Serbi, Philip Kosnett dhe Kyle Scott thonë se viti 2019 duhet të jetë ai i arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Ata i bënë sërish thirrje Prishtinës që të pezullojë taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe e boshnjake, por ndërkohë i kërkuan edhe Beogradit që të jetë më konstruktive, e të dyja palët të frenohen nga provokimet.

“Është koha që Beogradi dhe Prishtina t’i kthehen dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Europian, e që të dyja palët ta përqafojnë paqen guximshëm. Nëse e bëni këtë, jemi optimistë se mund të arrini në vitin 2019 një marrëveshje historike për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në një editorial të përbashkët të të dy ambasadorëve, të botuar në gazetën “Politika” të Beogradit dhe te “Zëri” i Prishtinës.

Scott dhe Kosnett theksojnë se, Serbia dhe Kosova e kanë mbështetjen e plotë amerikane dhe se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre, për të ndihmuar Beogradin dhe Prishtinën të krijojnë besimin e nevojshëm për të arritur një marrëveshje, në qendër të së cilës do të ishte njohja reciproke.

“Nëse të dy anët dështojnë për ta shfrytëzuar këtë mundësi, atëherë rrezikojnë të humbasin mundësinë më të mirë në një brez”, theksojnë diplomatët amerikanë.

Top Channel