Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të komunave në jug të Serbisë; Preshevës, Medvegjës e Bujanocit; presin që të jenë pjesë e dialogut Prishtinë-Beograd.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi i tha “Radios Europa e Lirë” se po punohet që çështja e Luginës së Preshevës të jetë pjesë e agjendës së bisedimeve.

Deri më tani, sipas tij nuk ka ndonjë ftesë nga Prishtina zyrtare, që ndonjëri nga përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës të jetë pjesë e ekipit negociator të Kosovës.

Por, Kamberi konsideron se kjo është mundësia e fundit, që çështja e Luginës të trajtohet dhe të gjendet një zgjidhje e drejtë, në të kundërt, ajo mund të mbetet burim tensionesh të vazhdueshme mes dy shteteve.

Përfshirja e komunave të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në kuadër të territorit të Kosovës, si pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është përmendur në disa raste nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Sipas tij, një ujdi e tillë duhet të ketë edhe mundësinë e korrigjimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ide kjo që deri më tani nuk ka gjetur mbështetje në spektrin politik të Kosovës.

Top Channel