ABI Bank/ Banka e Shqipërisë thyen heshtjen: Gjithçka e rregullt me regjistrimin “off shore” të kompanive amerikane

07/02/2019 15:30

Banka e Shqipërisë ka reaguar për herë të parë pas akuzave të shumta të drejtuara ndaj Bankës Amerikane të Investimeve (ABI Bank) dhe aksionarit kryesor të bankës NCH Capital për origjinën e paqartë, lidhjen me kapitalin rus, pastrim parash etj.

E vënë në qendër të debatit publik edhe për shkak të sulmeve që morën nuancë politike si rrjedhojë e akuzave të disa drejtuesve të lartë të opozitës gjatë javës që lamë pas, ABI Bank reagoi fundjavën e kaluar përmes një interviste shteruese të drejtorit të kësaj banke, z. Andi Ballta.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë ende nuk ishte shprehur dhe sqarimi i sotëm për shtyp, përveçse shumë i detajuar dhe i kujdesshëm për të qartësuar gjithçka, u jep përgjigje përfundimtare të gjitha pyetjeve të ngritura këto kohë.

Në deklaratën e saj të sotme, Banka e Shqipërisë rendit dokumentacionin e plotë të kërkuar ndaj ABI Bank, ligjshmërinë e këtij dokumentacioni, aktet ligjore mbi të cilat është mbështetur aprovimi, regjistrimi dhe licencimi i bankës, dhe marrëveshjet ndërkombëtare që rregullojnë marrëdhënien me kompanitë amerikane të regjistruara në vendet “off shore”.

Banka e Shqipërisë thekson se miratimi i blerjes nga shoqëria Tranzit shpk të bankës Credit Agricole në Shqipëri, e më pas licencimi nga Banka e Shqipërisë për ABI Bank, është kryer “në bazë dhe në përputhje me dispozitat ligjore dhe nënligjore në fuqi” dhe se ajo ka vlerësuar integritetin dhe reputacionin e aksionerëve të rinj si edhe të aksionerëve të tërthortë të Bankës Amerikane të Investimeve, bazuar në të gjithë dokumentacionin e nevojshëm në bazë të ligjeve në fuqi:
• vërtetimin e autoritetit të tatim-taksave për shlyerjen e detyrimeve tatimore nga shoqëria Tranzit sh.p.k.;
• vërtetimet e regjistruesit të shoqërive në Ishujt Kajman, për dy aksionarët e tërthortë, Neë Century Holdings XI, L.P. dhe NCH Balkan Fund, L.P., ku vërtetohej që dy shoqëritë janë të përjashtuara nga taksat;
• vërtetimet e regjistruesit të shoqërive në Ishujt Kajman, për dy aksionarët e tërthortë, Neë Century Holdings XI, L.P. dhe NCH Balkan Fund, L.P., ku vërtetohej që dy shoqëritë janë në gjendje të mirë dhe vijojnë aktivitetin;
• vërtetimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave për Tranzit sh.p.k. dhe NCH Capital, sipas të cilit nuk ka informacion me interes për reputacionin e tyre;
• çdo deklarim të bërë nga aksionarët deri në përfituesit e fundit (z. George Rohr dhe MorisTabacinic) në lidhje me shlyerjen e detyrimeve tatimore, mosndjekjes penale, mosdënimin më parë për vepra penale, mospasjes së detyrimeve ndaj personave të tretë, etj.;
• dokumentin e konfirmimit nga Ambasada Amerikane në Shqipëri se NCH Capital Inc. është një shoqëri e regjistruar në Komisionin e Letrave me Vlerë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SEC), dhe si e tillë i është nënshtruar mbikëqyrjes dhe rregullimit nga ky autoritet.

Në sqarimin e saj, Banka e Shqipërisë thekson se: “Informacionet mbi aksionarët e shoqërive janë informacione të publikuara dhe gjenerohen lehtësisht nga regjistrat publikë tregtarë” dhe se në rastin e ABI Bank: “aksionari drejtpërdrejtë dhe i vetëm, duke zotëruar 100 përqind të aksioneve të Bankës Amerikane të Investimeve, është shoqëria Tranzit shpk, e regjistruar në regjistrin tregtar pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Shqipëri që në vitin 2009.

Shoqëria Tranzit shpk kontrollohet nga NCH Balkan Fund L.P. dhe Neë Century Holdings XI, L.P. Këto fonde financohen nga investitorë të cilët janë universitete të mirënjohura, fonde pensionesh shtetërore dhe korporata e institucione të tjera nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Evropa Perëndimore. Të dyja këto fonde menaxhohen nga NCH Capital Inc., një shoqëri konsulente investimesh e regjistruarnë SEC, SHBA, me përvojë të gjatë në sektorin financiar dhe prej më shumë se 20 vite si pjesë e sektorit bankar në Evropën Qendrore dhe Juglindore përmes kapitalit bankar në Rumani, Letoni dhe Moldavi.

Ne sqarimin e sotëm, Banka e Shqipërisë i ka kushtuar vëmendje dhe pyetjeve të ngritura mbi vendin e regjistrimit të ABI Bank:

“Njëherazi, sqarojmë se kuadri ligjor dhe rregullativ mbi bankat në Republikën e Shqipërisë nuk parashikon ndalime apo kufizime lidhur me vendin e regjistrimit apo të ushtrimit të aktivitetit të aksionarëve të tërthortë të subjekteve, të cilët ushtrojnë veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë.
Pavarësisht sa më sipër, Banka e Shqipërisë në përputhje me parashikimet ligjore, por dhe me standardet ndërkombëtare (përfshirë standardet e FATF) në raste të kompanive të regjistruara në vend off-shore ka kryer vlerësimet e saj dhe ka identifikuar aksionarët deri në përfituesit e fundit. Vlerësimi i integritetit apo reputacionit të aksionarëve të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë të bankës është bazuar në një seri dokumentesh të tilla si: vërtetime të autoriteteve të tatim-taksave për shlyerje të detyrimeve tatimore, korrespondencën me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP), apo deklarimeve të bëra nga aksionarët deri në përfituesit e fundit, në lidhje me shlyerjen e detyrimeve tatimore, mosndjekjes penale, mosdënimit më parë për vepra penale, mospasjes së detyrimeve ndaj personave të tretë, etj.
Gjithashtu, dëshirojmë të informojmë publikun se më 18 mars 2010, Shtetet e Bashkuara miratuan dispozita ligjore të cilat njihen me emrin “Akti Amerikan i Llogarive të Huaja për Pajtueshmëri Tatimore”, të cilat paraqesin kërkesa për raportim nga institucionet e huaja financiare (IHF-të) në lidhje me llogari të caktuara.
Akti Amerikan i Llogarive të Huaja për Pajtueshmëri Tatimore (FATCA), i miratuar në vitin 2010 si pjesë e Aktit të Nxitjes së Punësimit për Rimëkëmbje të Punësimit (HIRE), është zhvillim i rëndësishëm në përpjekjet e SHBA-ve për të luftuar evazionin fiskal nga personat me shtetësi amerikane që kanë investime në llogari jashtë vendit të tyre. Sipas FATCA-s, taksapaguesit e caktuartë SHBA-ve që mbajnë pasuri financiare jashtë Shteteve të Bashkuara duhet t’i raportojnë ato pasuri në Shërbimin e të Hyrave të Brendshme (IRS). Po ashtu, FATCA u kërkon institucioneve të huaja financiare t’i raportojnë drejtpërdrejt IRS-së informata rreth llogarive financiare që zotërohen nga taksapaguesit e SHBA-ve, apo nga entitetet e huaja, në të cilat taksapaguesit e SHBA-ve zotërojnë interesa të konsiderueshme të lidhur me pronësinë.

Sistemi bankar shqiptar, që nga korriku i vitit 2014, e kryen aktivitetin e tij në përputhje me kërkesat dhe rregullimet e FATCA-s. Secila bankë raporton pranë IRS të gjitha llogaritë, investimet, dërgesat e bëra nga shtetas amerikanë, rezidentë amerikanë që përdorin një adresë apo që i kanë dhënë një prokurë përfaqësimi për llogaritë bankare apo transfertat një shtetasi apo rezidenti amerikan.

Ky sqarim i Bankës së Shqipërisë vjen në një kohë kur Banka Amerikane e Investimeve është vënë në qendër të akuzave që ngritën pyetje mbi aktivitetin e kësaj banke në Shqipëri, lidhur me vendin e regjistrimit, njohjen e aksionarëve dhe origjinën e fondeve.

Kjo deklaratë jep përgjigje të gjitha pyetjeve të ngritura dhe synon sqarimin përfundimtar mbi solidititetin e sistemit bankar shqiptar.

Top Channel