Tapeti i kuq i çeljes së filmit të fundit të Liam Neeson u anulua, në mesin e polemikave që kanë shkaktuar pohimet e fundit të tij se, dikur kishte pasur ndjesinë që donte të vriste një njeri të rastësishëm me ngjyrë, pas përdhunimit të një mikeshës së tij.

Shfaqja u pezullua vetëm dy orë përpara nisjes. Aktori i famshëm “Hollywood”-ian e mohoi të jetë racist, por fjalët e tij – të publikuara nga “The Independent”, – shkaktuan indinjatë.

Neeson pretendon se ka dashur që të çelë një debat më të gjerë mbi racizmin.

Komentet polemizuese, ai i bëri gjatë promovimit të filmit “Cold Pursuit”, një thriller i bazuar në një histori hakmarrjeje. Aty nisi të tregonte sesi ishte ndierë kur kishte mësuar ngjarjen e rëndë të ndodhur mikeshës së tij.

“Ajo e përballoi në mënyrën më të jashtëzakonshme – tha aktori, – por unë dola nëpër rrugë me një shkop bejsbolli në duar. E bëra këtë gjë ndoshta për një javë, me shpresën që dikush me ngjyrë të dilte nga ‘pub’-i e të kapej me mua, në mënyrë që të kisha arsye ta vrisja”.

“Për këtë, sot më vjen turp”, u shpreh ai.

Neeson shpjegoi më vonë se, përmes këtij rrëfimi kërkonte t’i nxiste njerëzit që të flasin për eksperiencat e tyre.

“Ne pretendojmë që jemi të gjithë ‘politikisht’ korrekt në këtë vend, por ndonjëherë mjafton të gërvishtësh pak sipërfaqen dhe zbulon se ka edhe këtu sa të duash racizëm e fanatizëm”, ka qenë komenti i yllit “Hollywood”-ian.

Top Channel