Kancelarja gjermane, Angela Merkel bëri thirrje këtë të martë për masa të forta mbrojtëse, për t’u garantuar se firmat kineze nuk i dorëzojnë Pekinit të dhëna private, mes shqetësimeve në rritje të sigurisë lidhur me pajisjet e prodhuara nga gjiganti i telekomunikacionit, Huawei.

Në një fjalim të mbajtur në Universitetin Keio në Tokio, Merkel tha se në Gjermani ekziston një “debat i madh” mbi përdorimin e pajisjeve Huawei, ndërkohë që ka gjithnjë e më shumë zëra që kërkojnë pengimin e kësaj firme nga ngritja e rrjeteve 5G në mbarë botën.

Gjermania ka mbajtur një qasje të kujdesshme deri më tani, me mbikëqyrësin gjerman të teknologjisë së informacionit që thotë se nuk ka prova që Huawei të ketë shfrytëzuar pajisjet e veta për spiunazh në favor të Pekinit zyrtar.

Por, Merkel tha se është e domosdoshme të bisedohet me Pekinin, “për t’u garantuar se kompania në fjalë, jo vetëm që nuk dorëzon të dhënat te shteti kinez, por të marrë masa të forta sigurie”.

Merkel kërkoi gjithashtu masa mbrojtëse për t’u garantuar se, “kur dikush punon në Gjermani, shteti kinez të mos ketë qasje në të dhënat e asnjë prej produkteve kineze”.

Huawei, në heshtje po me ritme të shpejta, është kthyer në furnizuesin kryesor të pajisjeve bazë të rrjeteve të telefonisë celulare, veçanërisht në vendet në zhvillim, falë edhe çmimeve më të lira. Por, një numër gjithnjë e më i madh i shteteve perëndimore i kanë kthyer shpinën Huaweit, me frikën se pajisjet e kësaj firme mund të jenë “kali i Trojës” i aparatit të sigurisë së Pekinit, pasi ligjet kineze u kërkojnë firmave të këtij vendi të bashkëpunojnë me shërbimet e kundërzbulimit.

Megjithatë, Huawei ka mohuar fuqishëm se pajisjet e saj mund të përdoren për spiunazh.

Top Channel