Vitrina e librit/ “Dituria” rikthen Remarkun në duart e lexuesit shqiptar me të drejta të plota

04/02/2019 12:57

Në çdo kohë ka breza të humbur dhe rini të djegur. Erik Maria Remark e dinte fare mirë këtë. Jo sepse ai ishte profet por sepse përjetoi dy luftëra dhe pa t’i iknin shokët një e nga një ndër betejat e luftrave prej çmendurive të nazizmit.

“Gjithmonë besoja se çdo njeri ishte kundër luftës, derisa e kuptova se kishte edhe disa të tjerë që ishin në favor të saj; në radhë të parë, ata që nuk kishin nevojë të shkonin në luftë !”, shkruan në një prej veprave të tij shkrimtari. Erik Maria Remark është një shkrimtar, vepra e të cilit nuk njeh moshë. Një vepër humane, prej të parit sukses “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”, e që vijoi si një fill lidhës në gjithë krijimtarinë e tij. Remark ka ardhur në Shqipëri disa dekada më parë, prej përkthimeve të të mirënjohurit Robert Shvarc. Z. Petrit Ymeri, Drejtor i Shtëpisë Botuese “Dituria” e risjell atë sërish për lexuesin shqiptar me një kolanë të njohur për brezat e mëparshëm. Ai thekson se rikthimi i veprave si “Asgjë të re nga fronti i perëndimit”, “Harku i Triumfit”, “Tre shokët”, “Një natë në Lisbonë”, “Obelisku i zi” etj., janë kryevepra që duhet herë pas here të sillen në treg për arsyen e thjeshtë se ato janë vepra humaniste, që kanë të bëjnë me njeriun dhe shpirtin e tij. Shumë prej tyre gdhendin psikologji dhe mendësi të cilat ndoshta nuk mund t’i ndryshojë as vetë përvoja njerëzore. Remark ka lënë gjurmë të pashlyeshme në krijmtarinë botërore sepse ka paraqitur njeriun dhe dhembjen e tij në një epokë të errët. Për ne dikur ky autor ishte i ndaluar, vazhdon z. Ymeri, dhe do të duhej një garë e stuhishme mes nesh të atij brezi për ta përfunduar brenda një nate sepse libri do të kalonte fshehurazi dorë më dorë. Ka qenë kohë e bukur mbarsur me emocione të mëdha dhe ne me këto libra jetonim dhe jetën e personazheve të tyre e kishim mit. Vendosa t’ia rikthej lexuesit, thekson Ymeri, sigurisht atij të ri, për këtë arsye. Pikërisht tani që po jetojmë një botë virtuale më shumë na duhet të nxisim ca deje nga shpirti njerëzor e Remark e përmbush fare mirë këtë mision. Do të kalojnë edhe shumë vjet, ndoshta edhe dhjetëvjeçarë dhe Erik Maria Remark do të vazhdojë të lexohet nëpër botë, sepse fatkeqësisht breza të humbur do të ketë në njëfarë mënyre gjithmonë.

  1. Asgjë të re nga fronti i perëndimit, është një roman lufte i botuar në vitin 1928, vjen në rrëfimin e një veterani lufte gjatë Luftës së Parë Botërore. Libri përshkruan stresin ekstrem fizik dhe mendor të ushtarëve gjermanë gjatë luftës, si dhe shkëputjen nga lufta civile e shumë prej këtyre ushtarëve, pas kthimit në shtëpi.
  2. Tre shokët është një roman i ndërtuar si një rrëfim në veten e parë nga njëri prej tre shokëve të Remark, nga Robert Lokamp. Romani zhvillohet në dy linja njëkohësisht me njëra-tjetrën, në linjën e shpalosjes përmes episodeve të ndryshme të një miqësie jashtëzakonisht të pastër e të sinqertë mes rrëfyesit, Oto Kaslerit dhe Gotfrid Lencit dhe në linjën e një dashurie nga më të bukurat dhe më prekëset që ka prodhuar letërsia moderne, që është ajo e Robertit me Patris Holmanin.
  3. Harku i triumfit është një roman i fuqishëm, i bukur, dramatik. Është viti 1939. Pavarësisht një ligji që e ndalon të kryejë operacione kirurgjikale, Ravic, një mjek gjerman dhe refugjat që jeton në Paris, ka kryer prej dy vjetësh, disa ndërhyrje të njerëzve më elitarë të qytetit, nën emrin e dy mjekëve të paaftë francezë. I ndaluar për t’u kthyer në vendin e tij dhe duke iu shmangur rrezikut të përditshëm të burgut dhe deportimit, Ravic ia del të mbahet fort gjatë gjithë kohës, duke kërkuar për Nazistët që e torturuan në Gjermani. Edhe pse ai u dorëzua për të gjetur dashurinë, jeta ka mënyra të habitshme për tu kthyer drejt romantizmit, madje edhe në periudhat më të këqija.
  4. Obelisku i zi është një roman klasik i pasojave shqetësuese të Luftës së Parë Botërore në Gjermani. Libri paraqet jetën në një qytet të vogël gjerman gjatë krizës së madhe të viteve 1920. Një veteran i regjur i Luftës së Parë Botërore, Ludvigu, tani punon për një firmë varrimesh, duke u shitur mermerë dhe gurë varresh të afërmve të viktimave të vdekjes. Edhe pse i mëdyshur për punë që bën, Ludvigu dyshon se jeta ka më tepër se sa ta sigurosh bukën mbi fatkeqësitë e të tjerëve. I vetëquajturi poet, shumë shpejt ndien se një erë e re po fryn në atdheun e vet, era e hidhur e krizës që do ta përfshijë atë edhe një herë në flakë të tjera, kësaj here jo nga lufta.

Top Channel