Tirana mirëpriti për herë të parë Vitin e Ri kinez. Sheshi “Skënderbej” u pushtua nga dritat, personazhet karakteristike të kulturës e dhjetra qytetarë kinezë që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri.

Festimeve iu bashkua edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ambasadori kinez në vendin tonë, Zhou Ding, e shumë qytetarë të Tiranës, të cilët kanë përjetuar surprizat dhe kulturën kineze të festimit të Vitit të Ri.

Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kinës.

“Kam një përshëndetje të veçantë për 300 qytetarët kinezë që jetojnë në Tiranë. Tirana sot është një qytet me mbi 100 kombësi, një qytet i vërtetë metropolitan. Ka jo vetëm festat e veta kombëtare, por edhe festat e komuniteteve e kombësive të tjera, që përbëjnë stofin e asaj që sot është Tirana moderne, ndaj dua një duartrokitje të ngrohtë për gjithë “tironsit” nga Kina që kemi sot këtu dhe që festojnë Vitin e Ri kinez. Me këtë mesazh, dua t’ju uroj të gjithë qytetarëve kinezë, tironsave kinezë, Gëzuar Vitin e Ri!”, tha kryebashkiaku i Tiranës.

Top Channel