Vrasje në mes të ditës; agjentë të pamëshirshëm në misione të fshehta; aparate përgjimi në çdo kryeqytet perëndimor; tre dekada pas rënies së bashkimit sovjetik, përmendja e KGB-së dhe aktivitetit të saj vazhdon ta ngacmojë fantazinë e publikut.

Por tani një muze në Manhatan ofron mundësinë të preket nga afër bota e agjentëve rusë të luftës së ftohtë, e kompletuar me portretet e Vladimir Leninit nëpër mure, muzikë ushtarake në sfond dhe pajisje të sofistikuara spiunazhi.

I gjendur në rrugën 14, në perëndim të Manhatanit, muzeu tregon çfarë përdornin asokohe agjentët e KGB-së për t’i marrë stafetën rivalëve, e sidomos Amerikës. Aty ka dhjetëra kamera të krijuara për t’u fshehur në kopsa, rripa apo pajisje, si dhe armë në formë buzëkuqi, mikrofona në miniaturë apo taka këpucësh me minindarje sekrete për të fshehur dokumente.

“Ky është një tregues sesi dy vendet tona kanë qenë vazhdimisht në garë me njeri-tjetrin për të siguruar sa më shumë sekretë nga rivalët. Edhe Rusia mund të bëjë një ekspozitë të tilla për CIA-n, përse jo”, shprehet një vizitor.

Muzeu i KGB-së ishte ideja e historianit 55-vjeçar lituanez, Julius Urbaitis, i cili kaloi tre dekada duke udhëtuar nëpër botë për të mbledhur 3,500 objekte origjinale e për t`i bërë së bashku në këtë ekspozite.

Top Channel