Largimi nga Shqipëria i disa bankave me origjinë nga vendet e Bashkimit Europian duket se ka filluar të japë efektet e para negative në ekonomi. Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaron se tërheqja e grupeve bankare të BE-së ka dëmtuar kreditimin e ekonomisë shqiptare, duke kufizuar ofertën.

Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se, kredia për ekonominë vitin e kaluar ra me 20 miliardë lekë, ose 160 milionë euro, duke konfirmuar se Shqipëria po përballet më një ngërç të thellë kreditimi.

Sipas statistikave, në nëntor të vitit të kaluar, kredia totale që bankat kanë dhënë për individët dhe bizneset zbriti në 534 miliardë lekë, nga 554 miliardë që ishte në nëntor të 2017-s. Të dhënat e detajuara tregojnë se, thuajse e gjithë rënia ka ardhur nga kredia për biznesin, gjë që penalizon investimet e reja në ekonomi.

Bankat me origjinë nga vendet e BE-së kanë qenë kreditorët kryesorë të ekonomisë. Por, pas krizës së vitit 2008, disa prej tyre janë larguar, ose kanë ulur ekspozimin në ekonomitë e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, duke lënë pas një boshllëk jo të vogël në ofertën e kredive.

Sipas FMN-së, veç tërheqjes së bankave europiane, arsye të tjera se përse Shqipëria po përballet me ngërç të kreditimit janë niveli i lartë i informalitetit, por edhe zbatimi i dobët i ligjit.

Në deklaratën zyrtare, Bordi i drejtorëve ekzekutivë të FMN-së u ka rekomanduar qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë të ndërhyjnë me masa të shpejta për të rigjallëruar kreditimin e ekonomisë, duke listuar uljen e kredive të këqija, forcimin e së drejtës së pronës dhe zbatimin e ligjit të falimentit.

Sipas FMN-së, këto masa janë të domosdoshme, pasi ngërçi i kredive është risku i dytë më i madh që mund të dëmtojë rritjen ekonomike, pas ngadalësimit të Eurozonës.

Top Channel