Anthony Martial i dha fund spekulimeve për të ardhmen e tij, duke firmosur një kontratë të re me Manchester United, e cila do t’i garantojë atij 200 mijë paund në javë për 5 sezonet e ardhshme.

Sulmuesi francez, që u gjend përpara dilemës për të qëndruar në “Old Trafford” deri në muajin qershor, kur i skadonte akordi, apo për të provuar një aventurë të re, zgjodhi të mbetet me “Djajtë e kuq”.

Anthony Martial pati një marrëdhënie të trazuar me ish-trajnerin Mourinho, por me ndryshimet në pankinë u bind nga trajneri Solskjaer, e po jep më të mirën në fushë.

“Po e shijoj shumë kohën time në këtë klub dhe, që nga dita e parë jam ndierë si i familjes këtu, falë tifozëve. Dua të falënderoj trajnerin Solskjaer dhe stafin teknik që beson tek unë, e që e ka çuar futbollin tim në një tjetër nivel”, tha sulmuesi transalpin.

Martial ishte në dyshim deri para pak javësh për t’iu qëndruar besnik “Red Devils”, e drejtuesit kishin frikë se nuk do të fitonin asgjë nga investimi i tyre, pasi sulmuesi mund të largohej i lirë. Por, ish-sulmuesi i Monacos, që ka shënuar 46 gola në 161 ndeshje me United, është kthyer në një titullar fiks për ekipin e “Old Trafford”.

Në të njëjtën pozitë janë dhe Juan Mata, Ashley Young dhe Ander Herrera, që nëse nuk rinovojnë do të largohen falas në qershor.

Top Channel