Pas përplasjeve të studentëve në Fakultetin e Drejtësisë, një grup që kërkonin nga strukturat arsimore garantimin e procesit mësimor, e pjesa tjetër që prej 3 javësh kanë bllokuar hyrjen e Fakultetit, procesi mësimor për Juridikun u transferua të mërkurën në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”.

Studentët të cilët duan të fillojnë mësim janë penguar sërish nga studentët e ngujuar, të cilët kanë mbyllur me dry derën e këtij gjimnazi.

Kthimi në gjimnaz ka sjelle pakënaqësi, por edhe mirëkuptimin e studentëve: “Nuk është vendi i përshtatshëm, por është i domosdoshëm”.

“Tani është pak anormale kur ne kemi godinën tonë ku mund të zhvillonim mësim, por sa të qetësohet situata të paktën është një zgjidhje. Ndoshta nuk janë klasat më të mira të mundshme, por në këtë situatë që ndodhemi nuk kemi zgjidhje tjetër, sepse kemi humbur shumë”, thonë studentët.

Një nga klasat ku do të zhvillojnë mësim studentët e masterit shkencor Fakulteti i Drejtësisë, lënda “E drejta ndërkombëtare private” është e pamjaftueshme për studentët.

“30 vende besoj se ka, ne jemi fiks 30, por leksion nuk bëjnë vetëm 30 veta, në leksion janë 2 ose tre grupe”, thotë një studente.

Pasi nxënësit do të mbarojnë mësimin, 38 klasat e gjimnazit nga ora 2 deri në 11 të natës do të jenë në dispozicion të studentëve të drejtësisë, në këtë mënyrë shkelet e drejta që këto mjedise të shfrytëzohen nga nxënësit edhe pas orëve mësimore.

Por, dekani i Fakultetit, Artan Hoxha deklaron se kjo është një zgjidhje e përkohshme: “Do të bëhet mësim të shtunë dhe të dielë nga mëngjesi deri në darkë, do të bëhet pasditeve mësim çdo ditë këtu. Ne shpresojmë që edhe studentët të cilët kanë bllokuar ambientet e Fakultetit ta ndjekin procesin mësimor, sepse të gjithë këta studentë janë protestues”.

Top Channel