Studentë të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike në Vlorë kanë mbaruar Bachelor-in, por nuk mund të vazhdojnë masterin pa dhënë provim edhe 12 lëndë të tjera shtesë.

Universiteti Politeknik i Tiranës, pasi i regjistroi 2 javë para sezonit të provimeve u kërkoi se duhet ta ndërprisnin masterin dhe të jepnin lëndët shtesë, edhe pse e kanë përfunduar ciklin akademik.

Një grup studentësh të universitetit të Inxhinierisë Elektrike në Vlorë u ankuan në redaksinë e Fiks Fare. Ata u shprehen se pasi ishin diplomuar në Bachelor ishin regjistruar për master në Universitetin e Tiranës , ku u ishte thënë se bashkë me studimet master duhet të jepnin edhe 12 provime shtesë të lëndëve të prapambetura sipas vlerësimit të UPT-së. Lëndë këto të cilat nuk përfshiheshin në programin e sistemit në Universitetin e Vlorës. Studentët konkuruan për master ku u renditën edhe në vendet e para, por sërish u tha se atë duhet ta ndërprisnin pas 3 muajsh frekuentim. “Filluam normalisht, ndoqëm pesë lëndë të prapambetura të semestrit të parë së bashku me gjashtë lëndë të masterit. Tani, pas tre muajsh nga fillimi i universitetit, neve na thonë se duhet të ndërpresim studimet master dhe se duhet të përfundojmë njëherë lëndët e prapambetura “ shprehen studentët. Ata ngrenë zërin se kjo karshi tyre është një padrejtësi, pasi për 2 javë fillon sezoni i provimeve dhe ata po sorollaten nga një zyrë në tjetrën për të gjetur një zgjidhje për këtë problem.

Studentët shkojnë të takojnë shefen e Departamentit të Energjitikës dhe zv. dekanin në UPT ku në bisedë e sipër ata pohojnë se kanë gabuar. Madje zv. dekani Genci Sharko shprehet “ ju keni të drejtë ky është faji im, duhet që ditën e parë t’u kisha thënë që nuk mund ta ndiqni masterin. Ky është faji im.” Ai vazhdon të thotë se nga ku qorrsokak nuk di t’u japi zgjidhjen ose mënyrën për të dalë, ai vetëm ofron largimin e tij nga detyra. “ Unë duhet të iki nga kjo detyrë, jeni 8 veta që ju kam marrë në qafë. S’ka zgjidhje tjetër!” përfundon zv. dekani Sharko.

Por për një përgjigje më të detajuar Fiks Fare iu drejtua dekanit të UPT-së. Orion Zavalani shprehet se kjo është një procedurë e ndjekur gjithmonë nga ky universitet. “ Kur shpallen fitues studentë që vijnë nga universitete të tjera, ne shikojmë programet e studimit të tyre për të parë se këto programe studimi përputhen me programet tona. Nëse diferenca është rreth 30 kredite këta student regjistrohen në master dhe këto 30 kredite ato lëndë që rekomandohen në kredite dhe jepen paralel duke i konsideruar më të njëjtin format si student mbetës që ne kemi” tha dekani Zavalani. Ndërkohë që diferenca e studentëve që janë detyruar ta lënë masterin është 57.7 kredite, por me këtë diferencë ata janë lejuar të regjistrohen në master. I pyetur posaçërisht për këtë dekani i UPT-së shprehet se nëse kreditet variojnë nga 30 deri në 60, këta student janë të detyruar që të ndjekin në radhë të parë lëndët e prapambetura dhe programet që janë në debi dhe pastaj të ndjekin lëndët e masterit. Që do të thotë se këtyre studentëve ju shtohet koha që duhet të harxhojnë në fakultet për të mbaruar studimet. Studentët duhet të japin provimet e lëndëve të prapambetura, ku do pajisen sërish me një diplomë të dytë të tipit Bachelor edhe pse studimet Bachelor i kanë kryer, e më pas automatikisht do të vazhdojnë studimet master.

Top Channel