Prodhuesit e energjisë fotovoltaike, të bllokuar për një udhëzim: OSHEE s’na merr prodhimin

29/01/2019 15:48

Në vitin 2017, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme.

Ky ligj ka për qëllim që të nxisë prodhimin vendas të energjisë prej burimeve të rinovueshme, por mungesa e udhëzimit të Ministrisë së Energjetikës ka krijuar një ngërç në tregun e fotovoltaikëve.

Nëse një panel diellor prodhon më shumë energji se ç’kërkon konsumatori, tepricën ai nuk mund ta hedhë në rrjetin e OSHEE-së. Pra mungon udhëzimi për shkëmbimin e energjisë në rrjet.

Ky vendim duket paksa paradoksal, në një kohë kur Shqipëria është një shtet që importon energji elektrike dhe shpenzon miliona euro për energji, në periudhë thatësirash.

“Ky shkëmbim nuk ndodh. Për fat të keq mungon udhëzimi nga Ministria për OSHEE-në. Me pak fjalë t’i thotë OSHEE-së se, me sa do ta marrë këtë energji dhe me sa do t’ia kthejë”, tha Elton Cekrezi, drejtor ekzekutiv “EuroElektra”.

Në nenin 15, pika 4, shkruhet: Ministri miraton me udhëzim një procedurë të lehtësuar për autorizimin për lidhjen me sistemin e shpërndarjes të projekteve të vogla të energjisë së rinovueshme.

Mund të jetë në disa forma, ku më të përdorshmet janë meet metering që do të thotë unë prodhuesi i jap një kë OSHE-së dhe i marr një kë. Kjo do të kthehet në kosto për OSHE-në sepse nuk mund të jetë raport një me një, por do të jetë 1 me 0.8 ose në formën e numrave.

“Nëqoftëse ne, që kemi impiantet fotovoltaikë, do të kishim mundësinë që ta shkëmbenim në rrjet të gjithë energjinë që prodhojmë këtu, praktikisht do ta konsumonte fqinji që kemi përballë apo tjetri. Ata do të paguanin konsumin e energjisë që prodhohet këtu, lokalisht. OSHEE-ja nuk ka as nevojë që ta sjellë deri këtu, nëse do të hapej mundësia e shkëmbimit në rrjet”, tha më tej Elton Cekrezi.

Top Channel