Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i ka kërkuar qeverisë të paguajë sa më parë borxhet e prapambetura ndaj biznesit, duke i dhënë fund një herë e përgjithmonë këtij fenomeni që, sipas tij, dëmton ekonominë.

Në raportin e fundit për Shqipërinë, FMN-ja vlerëson se detyrimet që shteti ka ndaj privatëve kanë arritur 200 milionë euro, nga të cilat 140 milionë euro i ka qeveria dhe pjesa tjetër janë detyrime të trashëguara të bashkive.

Tabelat e publikuara nga FMN-ja tregojnë se pjesa më e madhe e këtyre borxheve, rreth 90 milionë euro, janë TVSH e pakthyer për biznesin. Ekspertët e fondit nënvizojnë se këto borxhe vënë në vështirësi financiare biznesin dhe dëmtojnë të gjithë aktivitetin ekonomik.

Por Ministria e Financave thotë se detyrimet e prapambetura janë nën kontroll. Sipas saj, pjesa dërrmuese e këtyre detyrimeve u përkasin 3 kompanive që kryejnë investime të mëdha në Shqipëri dhe janë riskeduluar në marrëveshje me kompanitë, për t’u shlyer sipas një programi të rënë dakord.

Pas borxheve të papaguara, shqetësimi tjetër për financat e shtetit, i ngritur edhe nga bordi i drejtorëve ekzekutivë të FMN-së janë rreziqet nga koncesionet, të cilat mund të minojnë stabilitetin financiar dhe uljen e borxhit.

Në fund të vitit të kaluar qeveria kishte listuar 2.4 miliardë euro kontrata koncesionare të partneritetit publik-privat të nënshkruara ose në proces pritje për t’u nënshkruar.

FMN i kërkon qeverisë të ndërpresë menjëherë dhënien e koncesioneve pa garë dhe të përzgjedhë vetëm projektet që kanë leverdi ekonomike.

Sipas raportit, borxhet e prapambetura dhe koncesionet janë dy risqet më shqetësuese të brendshme. Por, ekonomia kërcënohet edhe nga një tjetër risk i jashtëm, që është ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në eurozonë e veçanërisht në Itali dhe Greqi. FMN-ja paralajmëron se nëse dy partnerët kryesorë të Shqipërisë do të rikthehen në recesion, atëherë rritja ekonomike e Shqipërisë mund të bjerë deri nën 2%.

 

Top Channel