Vitrina e librit/ Levi dhe “Jeta është e bukur në Aushvic”

28/01/2019 10:00

Primo Levi mbetet gjithmonë një rast i veçantë. Ai nuk është thjesht një shkrimtar i shkëlqyer i shekullit të 20-të, si Marsel Prust, James Joyce apo T. S. Eliot, të cilët padiskutim të gjithë ishin kërkues të thellë shpirtrash njerëzorë.

Levi, një hebre italian, lindur në Torino në 1919 u deportua në Aushvic në vitin 1943, në moshën 24-vjeçare. Kur ai famirësisht doli nga kampi, shkroi një nga rrëfimet më të rëndësishëm, të dokumentuar që njerëzimi ka si dëshmi autentike të asaj makinerie vrastare, romanin “A është, vallë, njeri?”

Nëpërmjet tij ai arriti të na tregoj se ka diçka edhe më të keqe se vrasja fizike: shkatërrimi i njerëzores dhe dinjitetit. Por në të njëjtën kohë, pavarësisht rrethanave për Levin gjithmonë është e mundur të ruhet virtyti dhe njerëzorja bashkë, edhe në vende si Aushvic. Kriminelët në roman nuk janë vrasësit e vërtetë, shprehet ai. Ata që i trajtojnë njerëzit sikur të jenë sende, si Aleksi, shefi i Komandës kimike, i cili fshinte herë pas here dorën mbi shpatullën e Levit sikur të ishte një leckë. Mënyra sesi Levi arriti të shkruajë për Aushvicin është unike. Duket thuajse mbinjerëzore. Si ishte e mundur që Levi arriti me sukses ta kryejë këtë gjë? Me një mendje të qetë, të paanshme dhe pothuajse pa e kujtuar cfarë ai kish përjetuar fizikisht brenda atij kampi?! Çfarë lloj njeriu ishte ai që arriti ta bënte për ne këtë gjë dhe cili që haraci i tij për t’u paguar ?

Levi nuk shkroi vetëm për Aushvicin. Shpesh shkroi për kiminë, duke qenë se ishte kimist në prfesion. Në librin tjëtër të tij, The Periodic Table, ai u mor me përshkrime karakteresh e personazhesh që ai i kishte njohur gjatë jetës. Në The Periodic Table, i cili është një libër i mrekullueshëm, dhe një nga autobiografitë më të çuditshme të shkruara ndonjëherë, Levi shkroi shkurtimisht për të atin, i cili kishte vdekur më 1942; për Lucia Morpurgo, që u bë më 1947 gruaja e tij; për disa miq të rinisë së tij dhe për dy nga dashuritë e tij të hershme. Ka një histori të mëvonshme të përshkruar rreth motrës së tij, Anna Maria, që ishte më afër tij se çdokush ndërsa nuk ka shkruar asgjë për nënën që jetoi me të deri në fund të jetës. Primo Levi nuk ka shkruar në fakt asgjë edhe për fëmijët e tij, Lisa dhe Renzo dhe shumë pak për dashurinë. Madje edhe në disa tregime dhe poezi të tij, ai i fsheh mendimet dhe sentimentet e tij. Në një rast, kur u pyet nga një gazetare se përse nuk ka shkruar më shumë për dashurinë, Levi me atë buzëqeshjen e tij të hollë, u përgjigj se shumica e librave në botë shkruheshin për dashurinë, kështu që nuk i duhej kujt dashuria e tij.

Ne ndjejmë se e njohim dhe e duam Primo Levin prej veprës që ai ka lënë pas, ndoshta sepse e njohim dhe e duam të menduarit e tij të butë, të mprehtë por dhe të hapur. Por duket se pjesa tjetër e tij, mbetet e mbyllur plotësisht. Primo Levi është në të vërtetë një nga shkrimtarët më të fshehtë/diskret që kanë jetuar ndonjëherë. Dhe këtë ai e dëshmoi jo vetëm në punën e tij. Megjithëse dha qindra intervista, ai i përdori ato të mos i ulte ‘muret’, që kish ndjerë të ngriheshin mes gjinive, racave apo ngjyrave nga njeriu për njeriun. Ai u përpoq t’i ngrinte ato edhe më lart, duke ekspozuar thuajse deri në fund një formë ndërtimi të kujdesshëm të tij. Levi e paraqiti këtë formë të vetes së tij për shumicën e njerëzve gjatë gjithë jetës. Kjo lloj forme ekzistence ishte ai njeriu i qetë, racional dhe optimist; ishte ideali i tij, një ideal që u përpoq të arrinte në pjesën më të madhe të jetës, sepse ishte një pikë kruciale por dhe një nevojë psikologjike për të.

Sidoqë për të, ky nuk ishte realiteti. “Nuk kam instinkte,” thosh ai, me buzëqeshjen e tij aq speciale, “ose nëse i kam, përpiqem t’i shtyp ato”. Njeriu që të gjithë e donin se i foli njerëzimit aq bukur mbi të vërtetat e Aushvicit, nuk arriti dot të fitonte betejën me jetën e tij emocionale. Dhe njeriu që zgjodhi të shpërndante optimizmin mes popujve nëpërmjet librave të tij, befas zbuloi se kishte mbyllur brenda tij dëshpërimin; një dëshpërim që gjithnjë e më shpesh ngrihej derisa e mbyti. Në vitin 1987, vetëm 67 vjec ai gjeti vdekjen pas një rënie prej shkallëve të banesës së tij në katin e tretë. Gazetat në mbarë botën raportuan se kishte kryer vetëvrasje. Por disa nga miqtë dhe lexuesit e tij refuzuan ta besonin, duke argumentuar të kundërtën. Njerëzit gjithmonë pyesin nëse ai do të ishte bërë shkrimtar po mos të kish përjetuar Aushvicin. Dhe ai do të përgjigjej, me saktësinë e shkencëtarit dhe buzëqeshjen e tij ironike, si gjithmonë, që nuk do e dinte kurrë, pasi për të kontrasti nuk ekziston. Ai nuk kishte pasur një jetë tjetër, që nuk e kishte përjetuar Aushvicin, kështu që nuk mund të thoshte se çfarë mund të kishte ndodhur me të. Por gjithsesi pyetja ishte intriguese; Aushvic e kishte shtyrë atë të shkruante, gjë të cilën ai nuk e kishte menduar kurrë.

Monika Stafa

Top Channel