Filmi “Black Panther” ka rrëmbyer çmimin kryesor të “Screen Actors Guild Awards”. Ceremonia e “SAGs” konsiderohet gjerësisht si tregues i rëndësishëm i preferencave, përpara ndarjes në muajin shkurt të atyre që shihen si çmimet më të rëndësishme të industrisë së filmit, “Oscar”-ëve.

Ky triumf e bën “Black Panther” një konkurrent të fortë në garën e “Academy Awards”.

I pyetur nëse “Pantera e zezë” e ka ndryshuar industrinë e filmit, aktori kryesor i tij, Chadwick Boseman pati një reagim plot nënkuptime.

“Të jesh i ri, i talentuar dhe me ngjyrë, kjo është përgjigjja ime”, u shpreh ai.

Konkurrentët ishin të fortë. Filmi me superheronj, që përbën praktikisht një homazh për kulturën afrikane, garoi për vlerësimin më të lartë të mbrëmjes me “A Star is Born”, “Bohemian Rhapsody” dhe “Crazy Rich Asians”.

Aktorët më të mirë në një film u shpallën Rami Malek, për interpretimin e Freddie Mercuryt, dhe Glen Close, me rolin e saj te “The Wife”.

“Pantera e zezë” e regjisorit Ryan Coogler bazohet në librin me ilustrime të “Marvel”, e ka në qendër mbretin e një vendi të përparuar teknologjikisht në Afrikë. Aftësitë e tij të mahnitshme në luftë përforcohen edhe më shumë nga fuqitë e tij prej superheroi dhe një kostum i veçantë.

Filmi, që kushtoi 200 milionë dollarë për t’u realizuar, u prit me interes të madh në të gjithë botën edhe për efektet e jashtëzakonshme speciale.

Top Channel