Rrugët e amortizuara në qytetin e Shkodrës janë pushtuar nga uji dhe balta me rikthimin e reshjeve.

Një prej tyre është lagjja “Mark Lula”, e lënë në harresë prej kohësh. Prej më shumë se 20 vitesh nuk është vënë dorë në rrugët dhe kanalizimet e kësaj lagjeje dhe mjafton pak shi që të bëhet e pakalueshme.

E rënduar paraqitet situata dhe në lagjen “Tophanë”, ku më shumë se 2000 banorë e kanë të vështire të kryejnë shërbimet për shkak të rrugëve të pakalueshmë për shkak të baltës.

Asnjë investim nuk është bërë në këtë zonë nga Bashkia Shkodër.

Prania e institucioneve në këto lagje ndihet vetëm në prag zgjedhjesh për të mbledhur vota e më pas premtimet mbeten në letër. Sërish banorët vijojnë mes problemesh të shkojnë në shkollë e në punë, tashmë pa shpresë se një ditë dikush do të kujtohet për ta.

Top Channel