Paketa Antishpifje, Avokatja e Popullit: I justifikuar, por duhet rregulluar

23/01/2019 16:51

Një prej temave të shumëdiskutuara kohët e fundit ka qenë paketa antishpifje e iniciuar nga kryeministri Rama, i cili parashikon regjistrimin e të gjithë portaleve në QKR si dhe gjobitjen apo edhe mbylljen e tyre në rast shpifjesh.

Në studion e “Top Talk”, ka qenë e ftuar Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, e cila e shikon si të justifikuar nismën e nisur nga kryeministri Rama.

“Nëse qëllimi i ligjit është regjistrimi i mediave online është i justifikuar. Fillimisht ekziston fenomeni dhe pastaj bëhen ligjet për ta rregulluar këtë fenomen. Besoj se është i domosdoshëm, sepse mendoj se nuk ka asnjë problem që njerëzit të identifikohen dhe të marrin një përgjegjësi”, u shpreh ajo.

Por mënyra se si ka filluar hartimi i ligjit dhe mënyra se si do të zbatohet kjo paketë antishpifje ka disa pikëpyetje.

“Alarmi lidhet me disa fenomenë që unë i gjej të legjitimuar. Lidhet me faktin se në një mënyrë ose tjetër është artikuluar shumë politikisht. Në këtë mënyrë qartësisht mediat e ndjenjë si një rrezik, ose si një keqpërdorim nga ana e kryeministrit. Sepse fillesën e ka nga kryeministri, duke ju kanosur në një farë mënyre mediave”, u shpreh Ballanca.

Më tej Avokatja e Popullit thekson se nisma e kryeministrit duhet rregulluar, pasi siç shprehet ajo duhet krijuar një institucion vetërregullues, ashtu siç edhe funksionojnë për shumë profesione të lira në Shqipëri.

“Unë jam për vetërregullimin. Vetërregullimi i tyre si i profesioneve të lirë, sepse edhe gazetarët janë të tillë duhet ta kenë një institucion të tillë. Diskutimi publik ka mbetur i vështirë, sepse ka një grup që kërkon të mos ketë as një lloj rregullimi”, shprehet ajo.

Avokatja e Popullit ngriti edhe dy problematika, e para ajo shprehet se mendon se AMA mund të ketë një përfaqësues në institucionin vetërregullues të gazetarëve, por të mos jetë ajo që ta bëjë këtë proces.

“Një tjetër problem ka të bëjë me masat dhe natyrën e gjobave, si dhe fakti që gjobat që do të vendosë ky Këshilli i etikës janë të ekzekutueshëm menjëherë. Kjo e përbën çështjen shumë problematike”, u shpreh Erinda Ballanca.

Top Channel