Cristiano Ronaldo mbërriti në Gjykatën e Madridit për të ratifikuar akordin e arritur me organet fiskale spanjolle për evazionin fiskal të kryer gjatë periudhës 2010-2014 kur ishte futbollist i Realit të Madridit, që fillimisht ishte 14.7 milionë euro për t’u reduktuar në 5.7 milionë.

Portugezi që ishte i shoqëruar nga e fejuara e tij Georgina Rodriguez, gjatë seancës që zgjati rreth 50 minuta pranoi fajin e tij për kryerjen e 4 krimeve fiskale dhe ratifikoi marrëveshjen e arritur më parë me Prokurorinë. Kjo do të thotë se Cristiano Ronaldo do të paguajë 18.8 milionë Euro gjobë, ndërkohë që pranoi edhe dënimin me 23 muaj burg që nuk do ta kryejë duke qenë se nuk ka precedentë.

Ndërkaq, bëhet e ditur se Cristiano Ronaldo e ka paguar një pjesë të gjobës teksa ka derdhur në arkat e organeve tatimore Spanjolle 13.4 milionë Euro. Në të njëjtën ditë dhe orar, u paraqit në gjykatë edhe Xabi Alonso, edhe ky për evazion fiskal të kryer në periudhën 2010-2012. Por ish futbollisti i Realit të Madridit e Bayernit të Mynihut këmbënguli në pafajësinë e tij dhe nuk pranoi paktin me Prokurorinë që kërkoi një dënim me 5 vjet burg për të.

Top Channel