Këtë të martë ishte radha e shefes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, për të dalë para komisionerëve të vettingut. Por, nuk ishte detyra e saj 17-vjeçare si prokurore, që do ta vendoste në pozitë të vështirë.

Përveç një apartamenti, që u raportua të ishte blerë me çmim më të ulët sesa vlera e tregut, prokurorja Donika Prela dha llogari edhe për bashkëshortin. Bëhet fjalë për punën e partnerit të saj si inxhinier ndërtimi në një kompani, si dhe gjetjet e KPK-së se ai kishte punuar pa kontratë dhe ishte paguar “cash” gjatë viteve 2003-2005.

Vëzhguesi i ONM-së, Theo Jacobs, i njohur për qëndrimin e ashpër ndaj njerëzve të drejtësisë, nuk e kurseu as prokuroren Prela, të cilës i përmendi kafen e mëngjesit dhe shijen jo të mirë që i ka lënë shmangia nga taksat e bashkëshortit të saj.

“Jam i sigurtë që ju mund të keni provuar që të pini ilaçe në mëngjes, e ato ilaçe lënë një shije të keqe, prandaj nuk mund ta pish mirë kafen. Por, pas drekës shija përmirësohet. Kam lexuar dosjen tuaj dhe ne nuk kemi arritur ende në kohën e drekës për të shmangur dyshimet dhe për të larguar shijen e keqe në gojën time. Pse bashkëshorti juaj e ka marrë pagën ‘cash’ teksa ka pasur llogari bankare? Më ndihmo të kuptoj nëse kjo është rastësi, apo bashkëshorti juaj është gënjyer nga kompania e ndërtimit. Apo ka ndodhur kështu për të shmangur pagesën e taksave?”, deklaroi vëzhguesi i ONM-së, Jacobs.

Prokurorja Prela paraqiti si provë borderotë e pagesave edhe për punonjësit e tjerë, që sipas saj kanë punuar në të njëjtat kushte.

“E kuptoj shqetësimin tuaj, por unë dhe bashkëshorti im kemi jetuar në Shqipëri dhe jo në një vend të Bashkimit Europian, ku një marrëdhënie pune fillon dhe mbaron në mënyrë të ligjshme”, iu përgjigj Donika Prela.

“Ndoshta është karakteri im i keq, por nëse do të më ndodhte mua kjo gjë, nuk do të kërkoja ndërmjetësim, por do ta padisja në gjykatë”, tha Theo Jacobs.

Donika Prela e kundërshtoi këte batutë te Theo Jacobs, duke përmendur sërish se ajo dhe Theo Jacobs jetojnë në dy realitete të ndryshme.

Ndërkohë, KPK-ja konsideroi si të rregullt dy komponentët e tjerë, atë të pastërtisë së figurës dhe të aftësive profesionale.

Vendimi për Prelën do të shpallet më 29 janar, pasi do të shqyrtohen edhe provat shtesë që prokurorja dorëzoi.

Top Channel