Prela përballë Vetting-ut. ONM i kërkon llogari për Shullazin dhe për burrin e paguar në të “zezë”

22/01/2019 11:46

Drejtuesja e komanduar e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela u përball sot me Vetting-un.

Nga ONM-ja është kërkuar informacion për hetimin e Emiliano Shullazit dhe Gilmando Danit për periudhën maj-tetor 2018. Subjekti ka paraqitur raport shpjegues. ONM-ja i ka kërkuar llogari Donika Prelës pse u bllokua pretenca për Emiliano Shullazin.

Gjithashtu, e ka pyetur edhe për dosjen e Ledio Ruçit, që ka qenë nën hetim në Durrës.

Prela u vlerësua nga trupa gjykuese e drejtuar nga Roland Ilia, Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari.

Sipas KPK-së, të ardhurat nga paga janë deklaruar rregullisht, por subjekti është pyetur për një borxh prej 25 mijë eurosh. Prela ka shpjeguar se bashkëshorti i saj i ka dhënë një personi tjetër në dy këste një borxh dhe se ka patur mundësi financiare. Subjekti ka deklaruar se ka shitur një apartament 95 metra katrorë në Tiranë për 80 mijë euro dhe ka deklaruar se ka blerë apartament me 118 metra katrorë me shumën 110 mijë euro. Për blerjen e këtij apartamenti janë përdorur 80 mijë eurot e shitjes së të parit dhe vlera tjetër është marrë kredi nga bashkëshorti i saj.

Gjithashtu, pasuria tokë e blerë në vitin 2013 (sipërfaqe 1 000 metra katrorë në Petrelë) është blerë nga i shoqi me vlere 350 mijë lekë. Prela e ka deklaruar blerjen e kësaj pasurie. KPK kërkoi verifikim të vlerave të tregut në këtë zonë si edhe pyeti subjektin që tha se ky ka qenë çmimi i blerjes në këtë zonë pasi, sipas Donika Prelës, kjo është tokë bujqësore dhe larg rrugës krysore dhe as në zonë rezidenciale.

Llogari bankare 4.4 milionë lekë në emër të bashkëshortit. Burimi është shitja e një apartamenti 52 metra katrorë në plazhin e Durrësit.

Theo Jacobs i ONM-së kishte një shqetësim: “Pse paga e bashkëshortit i është dhënë në dorë? Ai ka patur llogari. Kjo më lë shije të keqe. Unë fokusohem te taksat. Më shpjego pse bashkëshorti juaj është gënjyer dhe më bind se nuk ka rënë dakord që të paguhej në këtë mënyrë. Më trego që ai është viktimë dhe nuk bëhet fjalë për shmangie nga taksat. Ju keni vënë në dispozicion dokumenta që ai ka qenë në marrëdhënie punësimi, fakti që ai nuk ka paguar taksat më le shije të keqe. Ajo që e mbështet këtë shije të keqe është fakti se pavarësisht se ai është gënjyer nga punëdhënësi, vazhdon një komunikim mes jush dhe ish-punëdhënësit”.

Prela u justifikua kështu: “E kuptoj shqetësimin tuaj, por unë dhe bashkëshorti im kemi jetuar në Shqipëri dhe nuk kemi jetuar në një vend të BE-së ku një marrëdhënie pune fillon dhe përfundon në mënyrë të ligjshme. Bashkëshorti im është në profesion inxhinier ndërtimi, ai ka nënshkruar kontrata të rregullta pune, i është përmbajtur këtyre kontratave. Është firma e ndërtimit që nuk ka respektuar detyrimet kontraktore. Në këtë rast të dëmtuarit jemi ne. Nëse ne do të donim të ndërtonim të ardhura të paligjshme, mund të rrisnim në mënyrë fiktive rrogën. Por duket qartë që nuk është rasti”.

Kur Jacobs i tha që nuk iu përgjigj pyetjes mbi taksat, Prela theksoi se “është punëdhënësi që e zgjedh mënyrën e të paguarit”.

“Në të njëjtën mënyrë janë paguar të gjithë punonjësit e kompanisë”, shtoi Prela.

 

Top Channel