“21 Janari mbetet një ditë e trishtë. Kësaj i shtohet edhe fakti se nuk kemi të penalizuar ende autorët” , u shpreh në studion e “Top Talk”, deputeti i PS, Pjerin Ndreu, i cili ka dyshimet e tij se kjo ngjarje ka pasur një skenar që nuk ka buruar tek Garda, por tek disa njerëz që hynë brenda kryeministrisë dhe përdorën armët e Gardës.

“Janë vrarë 4 persona të pafajshëm në kushte e rrethana të çuditshme. Dyshoj se ky është një skenar nuk buron tek Garda, por tek disa njerëz që shfrytëzuan këtë amulli dhe hynë brenda kryeministrisë dhe përdorën armët e Gardës, fakti që janë zhdukur kamerat brenda kryeministrisë flet shumë”, u shpreh Pjerin Ndreu.

I pyetur nga gazetari Denis Dyrnjaja se deri ku mendon se mund të shkojë hetimi, Pjerin Ndreu përgjigjet se deri në nivele të larta, të cilët me veprimet dhe mosveprimet e tyre lejuan ata njerëz që të kryejnë vrasjet, duke mos përjashtuar këtu kreun aktual të PD, Lulzim Basha, i cili në atë kohë mbante postin e ministrit të Brendshëm.

“Basha nuk mund të çlirohet nga përgjegjësia. Qenia e tij ministër i Brendshëm, nuk e lë jashtë dyshimit se ka qenë i përfshirë në këtë ngjarje”, tha ai.

Por a duhet të ketë një rihapje të çështjes së 21 janarit?!

Pjerin Ndreu thekson se “Po”, pasi kjo siç thotë ai, është dhe një detyrim i PS për viktimat e 21 Janarit dhe familjarët e tyre?

“Ne do të shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat që na jep ligji që çështja të rihapet dhe fajtorët të dënohen. Nëse nuk bëjmë dot këtë, s’kemi bërë asgjë. PS ka detyrim ndaj tyre. Sepse ata erdhën për të protestuar. S’bën asnjë veprim të paligjshëm. Familjarët nuk e kanë humbur besimin tek PS, janë të qartë se ne jemi në përpjekje të zëvendësojmë këtë drejtësi të korruptuar”, u shpreh deputeti socialist.

Top Channel