Nisja e sesionit parlamentar ktheu përplasjen mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, ndërsa në foltore opozita dhe mazhoranca “qanë hallet” në shtëpinë e kundërshtarit.

“A i njihni ju o socialistë, kush është kjo zonjë? Kush është kjo tjetra? I njihni apo jo? Bashkëqytetarë socialistë dhe anëtarë të PS-së, a i njihni kush janë këta? Çfarë janë? Janë kukullat e këtij. Ministre e kujt është, çfarë është, çfarë ka bërë për këtë vend dhe nga vjen?”, tha Basha.

“Pa pikë turpi kthehet e thotë se kush jemi ne. Po ky kush ishte kur erdhi? Nga erdhi ky që ende nuk dihet nëse e ka mbaruar apo jo shkollën? Dihet botërisht se kush ia bën edhe listat e deputetëve, edhe Kryesinë e Partisë Demokratike. E ka bërë PD-në kashtë dhe k*qe dhe vjen këtu e qan hallin e Partisë Socialiste”, tha kryeministri Rama.

Vëmendje të veçantë, dy krerët e opozitës i kushtuan ish-ministrit të Financave, Arben Ahmetaj.

“E morëm vesh, kishim takim me delegacionin zyrtar. Na e treguan. Aty e kishe kompaninë, të regjistruar në parajsë fiskale”, tha Basha referuar Ahmetajt.

“Beni, të dua shumë por do të të marrë në qafë, siç të mori. Të mori firmën dhe të shiti siç shkarkoi ministrin e Brendshëm brenda natës, pse i arrestoi Vangjush Dakon”, tha Monika Kryemadhi.

Rama replikoi edhe me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, së cilës i referohet me titullin “Doktoresha e shkencave”.

“E vetmja shkencë që ajo njeh është shkenca e filxhanëve për të parë fatin dhe për t’iu thënë shqiptarëve se unë kam edhe pak muaj jetë. Këta nuk vijnë më këtu dhe atje sa të jetë Partia Socialiste e Shqipërisë”, tha Rama.

Lulzim Basha kërkoi miratimin e platformës së opozitës, pjesë e së cilës është edhe vettingu i politikanëve, ndonëse kjo nismë e demokratëve u rrëzua nga Komisioni i Venecias. Në të kundërt, kreu i PD-së paralajmëroi kryengritje.

“Partia Demokratike dhe opozita ka një dhe vetëm një mision: T’u prijnë qytetarëve, të bëhen zotë të fateve të tyre dhe të fateve të këtij Parlamenti dhe kësaj qeverie përmes një kryengritjeje demokratike popullore, për t’i dhënë fund regjimit të këtij të marri psikik”, tha Basha.

Demokratët u larguan nga salla me të mbaruar fjalën kryetari i tyre, ndërsa Edi Rama tha se i gjen te protesta e studentëve, arsyet e ligjërimit të ashpër të opozitës.

“Protesta e studentëve këtyre iu dha mesazhin “nuk iu shikojmë dot me sy”. Ajo u tha se “nuk ekzistojnë si alternativë”. Prandaj, kur brroçkullisin këtu e sjellin gjithmonë e më shumë gjuhën aty ku gjuha nuk mund të shkojë në një sistem demokratik: te dhuna, konfrontimi, përplasja”, tha Rama.

Në mbyllje të seancës, Parlamenti miratoi me 78 vota dekretin presidencial me emrin e Edi Ramës si ministër të Jashtëm.

Top Channel