Rreth 70 objekte po restaurohen në qendrën e Vlorës në një projekt me vlerë 322 milionë lekë, një investim i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan.

Në rrugën e cila ishte kthyer në një pazar, shtëpitë e vjetra humbnin rëndësinë mes zhurmës dhe ndotjes. Megjithëse afati i dorëzimit është muajin e ardhshëm dhe duket se puna është ende larg përfundimit, prej një viti po punohet në fasadat e mureve, çative të godinave si dhe në pjesë të cilat kanë qenë të rrënuara nga koha.

Në kantierin e improvizuar, jashtë kamerës, punëtorët shprehen se problemet me ndërtesat e vjetra i kanë ngadalësuar ritmet. Në këtë rrugë ndodhet dhe banesa e qendistares së flamurit të shpalljes së pavarësisë, Marigo Posio.

Siç shkruhet nëpër mure, fillimet e kësaj ndërtese datojnë në vitin 1892. Në zonë janë prishur 40 ndërtime pa leje. Megjithatë, banorët i mirëpresin punimet.

Rruga “Justin Godard” ka qenë rruga kryesore e qytetit në periudhën e rilindjes kombëtare. Shtëpitë janë me dy kate, me ballkone të vegjël të stilit neoklasik.

Top Channel