Senatorja demokrate Kamala Harris, që përfaqëson Kaliforninë, thotë se do të kandidojë për presidente në zgjedhjet e vitit 2020.

Senatorja Harris, që u zgjodh në vitin 2016, ka shërbyer më herët si kryeprokurore e shtetit.

“Unë e dua vendin tim”, tha ajo për emisionin “Good Morning America” në ABC, duke shtuar se do të luftonte për t’i dhënë vendit më të mirën e mundshme.

Një kritike e zëshme e presidentit Donald Trump, ajo është demokratja e pestë që i bashkohet betejës për nominimin e partisë në zgjedhjet e vitit 2020.

Elisabert Warren, Kirsten Gillibrand, Tulsi Gabbard dhe John Delaney kanë bërë po ashtu të ditur se do të kandidojnë.

“E ardhmja e vendit tonë varet nga ju. Ju dhe miliona të tjerë duhet të ngrini zërin dhe të luftoni për vlerat tona amerikane. Ndaj, unë do të kandidoj për postin e presidentes së Shteteve të Bashkuara”, tha senatorja 54-vjeçare, në një video të postuar në Twitter.

Nëse do të merrte nominimin, atëherë senatorja Harris do të bëhej gruaja e parë afroamerikane që do të përfaqësonte një parti të madhe në zgjedhjet presidenciale. Kamala Harris është vajzë emigrantësh nga Xhamajka dhe India.

Top Channel