Tony Mendez, ish-agjenti i CIA-s që frymëzoi filmin fitues të çmimit Oscar, “Argo”, ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare.

Mendez, një njeri tejet aktiv gjatë gjithë jetës së tij, vuante nga sëmundja e Parkinsonit. I specializuar në maskim, falsifikim identiteti e operacione shpëtimi, ai njihet më së shumti për nxjerrjen e 6 diplomatëve nga Irani gjatë krizës së pengjeve të vitit 1979, duke u paraqitur si producent filmash.

Ben Affleck, aktori hollivudian që e interpretoi Mendezin tek “Argo”, e quajti atë “një hero të vërtetë amerikan”.

“Ishte një njeri me hir, mirësjellje, përulësi dhe mirësi të jashtëzakonshme. Kurrë nuk kërkoi të ndodhej në qendër të vëmendjes për veprimet e tij, thjesht deshi t’i shërbente vendit të vet”, tha Affleck në një mesazh në Twitter.

Ish-zëvendësdrejtori i CIA-s, Michael Morell, e lavdëroi gjithashtu agjentin sekret duke e përshkruar si “një nga oficerët më të mirë që ka punuar ndonjëherë në agjensi”.

Mendez shërbeu në mjaft vende të huaja, kryesisht në Azi. Por kulmin e karrierës e arriti në vitet ‘80, kur orkestroi atë që më vonë do të quhej “Canadian Caper”, shpëtimi i guximshëm e në dukje gati i pamundur i 6 diplomatëve amerikanë nga Irani. Diplomatët u detyruan të strehoheshin në Ambasadën e Kanadasë në Teheran, pasi protestuesit mësynë Ambasadën Amerikane.

Mendez i ndihmoi ata që të hiqeshin si një ekip producentësh kanadezë në kërkim të vendeve për të xhiruar një film fantastiko-shkencor, i cili në fakt nuk ekzistonte.

Pas tërheqjes nga CIA, Mendez drejtoi një studio arti dhe shkroi tre libra me kujtime mbi përvojat e tij.

Top Channel