Edhe këtë 21 janar, Ilir Meta nuk ishtë në Tiranë. Këtë vit, Presidenti i Republikës udhëtoi drejt Malit të Zi, me ftesë të homologut malazez për të zhilluar një vizitë të nivelit shtetëror.

Me vete, kreu i shtetit kishte marrë edhe këshilltarin e tij të sigurisë, Bahri Shaqiri, të cilin menjëherë pasi njoftoi se kishte nisur vizitën zyrtare në Mal të Zi, ia propozoi Kuvendit ta zgjedhë në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

  Presidenti i propozon mazhorancës kandidatin e ri për KLSH

Dekretin, presidenti Meta e shoqëroi edhe me arsyetimin se, përse ish-kreu i SHISH-it i plotëson kushtet ligjore, sipas tij, për të marrë drejtimin e KLSH-së.

“Gjatë eksperiencës 26-vjeçare të punës në institucionet e larta shtetërore, si Ministria e Financave, Shërbimi Informativ i Shtetit, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, e aktualisht në institucionin e Presidentit të Republikës, Bahri Shaqiri ka treguar integritet të lartë moral dhe profesional në ushtrimin me sukses të detyrave kaq të rëndësishme. Shaqiri, gjatë ushtrimit të detyrave të mësipërme ka pasur bashkëpunim të shkëlqyer me partnerët ndërkombëtarë, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe krimit ekonomiko-financiar. Shaqiri ka njohuritë e duhura në fushën e ligjit dhe auditimit, për të garantuar drejtimin profesional të këtij institucioni të pavarur”, shkruante Meta.

Dekretin në mungesë e ironizoi menjëherë ish-ministri i tij, në kohën kur drejtonte LSI-në.

“Presidenti, nga Mali i Zi ka lëshuar një dekret për kryetarin e KLSH-së. Paska marrë vulën e Presidencës me vete”, shkruajti në rrjetet sociale duke u gajasur Ylli Manjani.

Përfaqësues të mazhorancës, duke evidetuar problemet kushtetuese, lanë të kuptohet se edhe ky propozim i dytë i Metës do të ketë fatin e Vitore Tushës, e cila u rrëzua nga Parlamenti.

“Kushtetuta e përcakton qartë, si kriter të kandidatit për drejtimin e KLSH-së, ekspertizën në fushën e financave. Mbase Shaqiri ka punuar me financat e LSI-së, e këtë mund të ketë pasur parasysh kryetari në distancë i LSI-së, presidenti Meta, kur e ka propozuar. Por, e para s’ka të dhëna publike për këtë aktivitet dhe, e dyta, edhe sikur të na i vinte në dispozicion këto të dhëna LSI-ja, sidoqoftë kjo nuk do ta zgjidhte problemin kushtetues të kandidaturës. Natyrisht, ky është thjesht një opinion personal juridik, por, për sa i takon Komisionit të Ligjeve e shoh realisht të pamundur ‘dritën jeshile’ për Shaqirin”, tha Ulsi Manja.

  Propozimi i Bahri Shaqirit për kreun e KLSH-së, Manja kundër Metës: Është i LSI-së dhe…

Top Channel