Rikthimi si prokurorë pranë Krimeve të Rënda i dy magjistratëve, Olsian Çela dhe Besim Hajdarmataj, e përçau Këshillin e Lartë të Prokurorisë në dy grupe, që u përplasën me njëra-tjetrën dhe që në fund u ndanë me vota: 6 pro dhe 5 kundër.

Shumica iu dha të drejtë dy prokurorëve, ndërsa 5 të tjerët ishin kundër tyre, apo thënë ndryshe përkrahën urdhrin e Arta Markut për transferimin e tyre në rrethe.

Por ndryshe nga mbledhjet e mëparshme të KLP-së, me anëtarët që votonin njëzëri, firma e kryeprokurores së përkohshme tregoi se, kur bëhet fjalë për raste që vënë në pikëpyetje Prokurorin e Përgjithshëm, KLP nuk është aq e unifikuar.

Anëtarët e tjerë, që vijnë nga komuniteti i prokurorëve, por edhe Sandër Beci, nga shoqëria civile, e konsideruan urdhrin e Arta Markut të paligjshëm, e për rrjedhim Çela dhe Hajdarmataj duhet të kthehen në detyrat që mbanin.

“Situata aktuale e tyre i përket një transferimi pa pëlqim”, tha prokurori Gent Osmani.

“Unë i dëgjova qëndrimet e dy grupeve dhe jam në mëdyshje në pozicionimin e Këshillit”, tha një tjetër anëtar.

Por grupi kundërshtar, ku bënte pjesë Besnik Cami, që njihet si mbështetës i Arta Markut, së bashku me anëtarët që vijnë nga shoqëria civile sugjeruan dërgimin e çështjes në Kushtetuese, që nëse do të pranohej do të thoshte humbje kohe.

“Ne duhet të dalim me një vendim të unifikuar”, tha një tjetër anëtar.

“Me këtë çështje po merret gjykata, ky është fakti dhe nuk ndryshon”, tha një anëtare e KLP-së.

“Gjykata nuk po merret me kthimin e tyre në vendin e punës, por po merret dhe po vlerëson ligjshmërinë e urdhrit të Prokurores së Përgjithshme”, tha një tjetër anëtar.

Pas këtyre dy qëndrimeve, në fakt qëndron ambicia e Arta Markut për të kandiduar për Prokurore të Përgjithshme, si dhe parashikimet se përballë do të ketë si garues njërin prej prokurorëve të ndëshkuar prej saj, zotin Olsian Çela.

Si Çela, ashtu dhe Hajdarmataj fituan në gjykatë, pas përplasjeve që ata patën bashkë me kolegët e Krimeve të Rënda, kur dhe refuzuan të merrnin pjesë në një mbledhje, nga e cila duhej të vendosej me detyrim se kush do ta shpallte pretencën për Emiliano Shullazin.

E gjitha kjo solli një situatë të paprecedentë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, me dy prokurorë të transferuar në rrethe, si formë ndëshkimi, dhe 8 të tjerë me masa disiplinore. Sikur të mos mjaftonte kjo, Arta Marku e shpjegoi luftën në Prokurori përmes një letre publike, në të cilën tregoi se përse i largoi prokurorët nga Tirana, edhe pse ligji nuk e lejon të ndërhyjë pa pëlqimin e prokurorëve.

Një veprim që pas votimit të KLP-së shënon humbje për Markun, por i hap edhe rrugën prokurorit Olsian Çela, jo vetëm të kthehet te Krimet e Rënda, por edhe të përgatitet për garë.

Top Channel