Do të jenë Los Angeles Rams dhe New England Patriots skuadrat që do të diskutojnë trofeun e kampionit në National Football League në finalen e 53 të Superbowl që do të zhvillohet në 3 shkurt në Atlanta.

New England që do të luajë këtë finale për të tretin vit radhazi, mundi në Kansas City me rezultatin 37-31. Ky kualifikim ka një domethënie për quarterbackun Tom Brady që në moshën 41 vjeçare do të luajë ndeshjen e tij të 9 në SuperBowl, që përbën një rekord më vete.

New England e fitoi ndeshjen pas kohës shtesë dhe të mendosh që Patriots e nisi mjaft mirë atë teksa mori kryesimin 14-0 në pjesën e parë. Pas pushimit, Kansas ndryshoi totalisht duke sulmuar më shumë dhe duke bërë që koha e rregullt të mbyllet 31-31 me skuadrat iu drejtuan shtesës.

Këtu ishte Tom Brady që me mjeshtëri e administroi faktorin kohë, ndërkohë që Burkhead mbylli përfundimisht llogaritë duke shënuar pikët e fitores së Patriots.

Pas kohës shtesë fitoi edhe Los Angeles Rams ndaj New Orleans Saints 26-23 me skuadrën kaliforniane që rikthehet të luajë në një finale të SuperBowl pas 17 vitesh. Ishte kjo një sfidë për të cilën do të flitet shumë në ditët në vazhdim për shkak të një gabimi arbitrar si dhe për paraqitjen fantastike të goditësit Greg Zuerlein.

Sfida nisi më mirë për skuadrën e Saints që mori kryesimin në 13-0, por Los Angeles pas lëvizjeve të trajnerit të tij filloi të akumulojë pikë deri sa barazoi rezultatin 20-20 kur kishin mbetur 5 minuta nga fundi i takimit, kur ndodhi edhe episodi polemizues.

Arbitrat nuk panë një bllokim të parregullt të Robey-Coleman në dëm të marrësit të New Orleansit duke detyruar këtë të fundit të kënaqet me ekzekutimin e një gjuajtjeje me vlerën e 3 pikëve. Pas këtij episodi u shfaq Zuerlein që me dy veprime të tij i dha fitoren skuadrës së Los Angeles Rams

Top Channel