Duke pasur një karrierë në Policinë e Shtetit, deputeti i Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu, i ftuar në “Top Talk”, nuk i ka shpëtuar pyetjeve rreth sigurisë dhe rendit në vend, kryesisht pas ngjarjeve të fundit kriminale këtë fillim viti.

Krimin në rritje në muajin janar, deputeti Ndreu e lidh edhe me kthimin e emigrantëve në vend, duke rihapur çështje të vjetra, por edhe kthimin gjatë festave apo pushimeve të disa personave që ushtrojnë të njëjtin aktivitet kriminal, edhe në vendet ku jetojnë.

“Gushti dhe janari janë problematikë për sigurinë dhe rendin. Lidhen me ardhjen emigrantëve. Hapja e llogarive të vjetra. Kthimi i emigrantëve, sjell edhe ata persona që kryejnë këto vepra kriminale jashtë shtetit”, u shpreh Ndreu, duke shtuar se “Policia duhet të jetë më e shkathët. Duhet të monitorojë personat që vijnë nga jashtë e që dyshohen se janë kontigjent i krimit”.

Por, a është kjo policia që duam?

Deputeti Pjerin Ndreu, shprehet se policia që duam nuk është as në Amerikë, por ajo është gjithnjë në proces.

“Policia që duam, nuk është as këtu, as në Amerikë dhe as në Gjermani. Policia është në proces gjithmonë. ka pak vende që mendojnë se policia është aty ku duhet. Policia është institucioni më i mirë shqiptar. Është institucioni më i besueshëm, më i vuajtur. Ka dhënë kontribut më shumë se çdo institucion tjetër në Shqipëri. Më thoni një emër krimineli që nuk është arrestuar 1-5 herë nga Policia. Ajo e ka bërë punën e saj, ajo çfarë nuk ka funksionuar ka qenë zinxhiri i funksioneve ligjzbatuese që merren me Prokurorinë dhe Gjyqësore”, u shpreh ai.

Top Channel