Kampionati italian i futbollit dhuroi disa ndeshje emocionuese këtë të dielë, ku spikati mes të tjerave barazimi 3-3 mes Fiorentinës dhe Sampdorias.

90-minutëshi në stadiumin “Artemio Franchi” ishte një spektakël i dy sulmuesve Muriel dhe Quagliarella, por në finalen e sfidës dramatike gjithçka u vendos nga një gol me kokë i mbrojtësit argjentinas Pezella, dhe një dedikim për ish-kapitenin e Fiorentinës, Davide Astori, të ndarë nga jeta pak kohë më parë.

Jo më pak e “çmendur” ishte goleada e Atalantës në fushën e Frosinones. 5-0 fitoi skuadra nga Bergamo dhe 4 nga golat erdhën prej sulmuesit Duvan Zapata.

Kolumbiani tani barazon Ronaldon në renditjen e shënuesve, diçka e pabesueshme kur vetëm 2 muaj më parë kishte vetëm 1 gol dhe 13 ndeshje në total.

Top Channel