Numri i viktimave nga shpërthimi i naftësjellësit, mbrëmjen e së premtes, ka shkuar tashmë në 71, ndërsa dhjetëra të tjerë rezultojnë të plagosur. Hetimet paraprake lënë të besosh se shkak i shpërthimit ka qenë dëmtimi i rrjetit nga hajdutët e lëndës djegëse, pikërisht në pjesën që kalonte në qytetin Tlahuelilpan të shtetit Hidalgo.

Zyrtarët thonë se dhjetëra persona ishin përpjekur të mbushnin deri edhe kontenjierë, por fatkeqësisht u përfshinë nga flakët e “ferrit”. Dhjetëra trupa të djegura vijojnë të mbeten në vendngjarjen që është rrethuar gjithsesi nga kordoni i forcave të sigurisë.

Banorë lokalë thonë se, politika e re e presidentit Andrés Manuel López Obrador për të shtypur hajdutët e naftës ka krijuar mungesa furnizimi në treg.

“Të gjithë kishin ardhur në kërkim të një sasie çfarëdo nafte për automjetet e tyre”, thotë fermeri Isaias Garcia për agjencinë e lajmeve “Reuters”. “Në stacionet e karburanteve nuk ka fare furnizim”.

Mes 71 viktimave që u njoftuan nga guvernatori i shtetit Hidalgo, Omar Fayad, janë edhe 3 gra dhe një fëmijë 12-vjeçar. Të afërm të tronditur të viktimave u mblodhën menjëherë pranë vendngjarjes, me të pësuar tragjedinë.

Ekspertët mjekoligjorë kanë fotografuar tashmë atë çfarë ka mbetur, në mesin e një sfondi me trupa e veshje të djegura, sikurse edhe kovat me naftë të shpërndara gjithandej.

Ndërkohë ka reaguar edhe kompania shtetërore e naftës, “Pemex”, e cila shpjegon se zjarri është shkaktuar nga vjedhjet ilegale të karburantit që kalonte në tubacionet e naftësjellësit. Hajdutët besohet se kishin shpuar tubacionin në disa vende dhe, në momentin e shpërthimit të fuqishëm, u pa një sasi e madhe e lëngshme që “fluturoi” në ajër.

Disa banorë lokalë kanë kritikuar forcat e sigurisë pranë vendngjarjes që nuk kanë paralajmëruar njerëzit, apo që nuk kanë përdorur qoftë edhe forcën për t’i detyruar të qëndronin larg rrjedhjeve të tubacionit.

  Shpërthen naftësjellësi në Meksikë, raportohen 20 viktima

Por, kjo nuk është hera e parë që “Pemex” përfshihet në incidente të ngjashme vdekjeprurëse. Edhe në vitin 2013, të paktën 37 persona vdiqën nga një shpërthim në selinë e saj në Mexico City, ndërsa 26 të tjerë humbën jetën në vitin 2012 si pasojë e një zjarri në një ambient gazi.

Top Channel