Dita e 7 e “Australian Open” ka dhuruar disa surpriza, dy nga të cilat ndodhën në kategorinë e femrave.

Maria Sharapova dhe Angelique Kerber i thanë lamtumirë përpara kohe turneut të parë “Grand Slam” të vitit, pasi u eliminuan në fazën e 1/8-ave të finaleve.

Tenistja ruse Sharapova u eliminua nga Ashlei Barty, me australianen që fitoi 2-1. Sharapova e nisi më mirë sfidën teksa fitoi setin e parë 6-4, por Barty iu kundërpërgjigj ish-numrit 1 të botës, duke fituar dy setet e tjerë 6-1 dhe 6-4.

Edhe më keq shkuan gjërat për numrin 2 të botës, Angelique Kerber, që u eliminua nga debutuesja Danielle Collins. Tenistja amerikane ishte e papërmbajtshme ndaj Kerber dhe e dominoi totalisht ndeshjen, të cilën e mbylli brenda 56 minutave, duke e fituar 2-0 me sete 6-0 dhe 6-2.

Në kampin e meshkujve, Rafael Nadal është i pari nga të mëdhenjtë e tenisit botëror që preu biletën për në çerekfinalet e “Australian Open”. Tenisti spanjoll mundi në 1/8-at e finaleve Tomas Brdiç me rezultatin 3-0. Dy setet e para ishin një formalitet për numrin 2 të botës, që i fitoi ato 6-0 dhe 6-1. Në setin e tretë, Brdiç bëri më shumë rezistencë, por edhe ai u fitua nga Nadal me “tiebreak”, 7-6.

Kundërshtari i radhës i Nadalit do të jetë amerikani Frensis Tiafo, që befasoi të gjithë teksa eliminoi Grigor Dimitrovin me rezultatin 3-1, pas 3 orë e 39 minutash lojë, pikërisht ditën e 21-vjetorit të tij të lindjes.

Tiafo fitoi dy setet e parë 7-5 dhe 7-5, ndërsa i treti shkoi në favor të Dimitrovit 7-6. Seti i katërt u fitua sërish nga Tiafo 7-5, duke u kualifikuar për herë të parë në çerefinalen e një turneu “Grand Slam” në karrierën e tij.

Top Channel