Një grup organizatash për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e lirisë së fjalës si dhe organizata përfaqësuese të gazetarëve i kërkuan Kryeministrit, të tërheqë dy projektligjet për median online, të cilësuara si ligjet anti-shpifje.

“Këto dy projektligje rrezikojnë ta kthejnë Shqipërinë në një vend jodemokratik, cenojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe nuk zgjidhin asnjë nga problematikat ekzistuese të medias, përfshirë gjuhën e urrejtjes, shpifjen, propagandën apo dezinformimin.

Nëse mazhoranca socialiste do të miratojë këto dy projektligje, demokracia jonë hibride do rrëshqasë drejt modelit të një regjimi autoritar. Kjo, pasi në vendet demokratike, ligjet synojnë të mbrojnë qytetarët nga qeveria dhe jo qeverinë nga qytetarët”, tha Gjergj Erebara.

Sipas këtyre organizatave, paketa e re fiskale godet veçanërisht mediat online.

“Tatimi mbi vlerën e shtuar është ulur në 6% për mediat audiovizive, është zero për gazetat ndërkohë që është lënë në masën 20% për median online”, u shpreh Gjergj Erebara.

Përfaqësuesit e organizatave si BIRN Albania, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë, Lidhja e Gazetarëve, Ais/Open Data Albania dhe Civil Right Defenders, thanë se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese nëse Qeveria nuk tërhiqet nga këto ligje.

Top Channel