Është dita e katërt e protestës dhe ngujimit të studentëve të Fakultetit të Shkencave Politike dhe Juridike të Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Studentët janë të përçarë. Pjesa më e madhe vijon normalisht mësimin, ndërsa vetëm një grup i tyre vazhdon protestën me këmbëngulje për plotësimin e 8 pikave dhe rrëzimin e ligjit “për arsimin e lartë”.

“Përderisa u plotësua një kërkesë për përgjysmimin e tarifës, u plotësua ajo kërkesë për të cilën unë kisha nevojë. Tani afron dhe sezoni i provimeve dhe nuk duam të penalizohemi. Kam zhvilluar mësim që të martën që ka nisur protesta e në vijim. Jam pro protestës, por jo që të penalizohemi për mësimin”, shprehet një studente.

Marseli, student i vitit të dytë Financë-Kontabilitet, thotë: “Faktikisht, këtu kushtet janë të mira dhe tarifa nuk është shumë e lartë krahasuar me vende të tjera, si Tirana. Kështu, mendoj që nuk ka ndonjë arsye për të protestuar”.

“Po mundohemi për protestë, po nuk e di çfarë po bëhet. A po na anashkalojnë a çfarë po bëjnë, po ne kemi protestuar përditë. Këtu dhe në Tiranë”, thotë një studente tjetër.

Erda, studente e vitit të dytë në Shkenca Politike thotë se procesi është shumë i rëndësishëm, por protesta është një e drejtë e tyre që ka marrë dhe mbështetjen e pedagogëve të fakultetit të saj: “Vij për protestën, pasi do të ndërrohen ata që qëndrojnë natën dhe do të vazhdojmë ne të tjerët rezistencën që të plotësohen kushtet. Do të bëjmë thirrje dhe që të bashkohen studentë të tjerë që nuk afrohen. Te FSHPJ në shumë auditorëve nuk bëhet mësim. Në një mbledhje që bëmë dje pedagogët dhe dekani na mbështetën dhe na thanë që do të rregullohen oraret mësimore e mungesat dhe shpresojmë që gjithçka të rregullohet pasi po bëhet sakrificë e madhe si nga ata që qëndrojnë ditën dhe nga ata natën. Edhe mësimi që po humbet dhe koha dhe asnjë nuk ka dëshirë që të humbasë mësimin e të shtyhet mësimi”.

Top Channel