Fshati Dhoksat është braktisur prej dekadash. Shumica e të rinjve janë në emigracion, e pak kanë dijeni për këtë program të së ardhmes turistike për fshatin.

Lefter Mejdi i ka të gjithë fëmijët në emigracion, por thotë se, nëse interesi për turizmin do të rritet, ai është në gjendje ta kthejë në bujtinë një pjesë të banesës së tij.

Qindra shtëpi të ndërtuara sipas stilit “kullë”, gati dy shekuj më parë në të gjithë krahinën e Lunxhërisë, rrezikojnë të humbasin origjinalitetin për shkak të pamundësisë së mirëmbajtjes, kostove të larta dhe mungesës së mjeshtrave.

Teknika e veçantë e ndërtimit me gur të zi filloi të realizohet në këtë zonë gjatë mesit të shekullit të XVIII. Në Dhoksat, njëri prej fshatrave më të rëndësishëm të zonës, i përzgjedhur ndoshta jo rastësisht për të qenë mes 100 fshatrave, ende mungon ujësjellësi, ndërsa rrjeti i rrugëve mesjetare ka degraduar. Veprat publike janë parakusht për interesin e banorëve për investime, thotë Koço Vasili, një tjetër banor. Ai flet edhe për informacion të munguar mbi tregun turistik.

Në Lunxhëri, më shumë se 70% e popullsisë gjendet në emigracion, ndërsa interesi për të rindërtuar banesat prej emigrantëve po çon drejt ndryshimit të stilit origjinal të ndërtimit. Dhjetëra monumente kulture të vizitueshme, në një hapësirë prej 10 km përreth Dhoksatit, si kisha, manastire, ura, mullinj, shkolla apo rrënoja antike, janë në gjendje shumë kritike konservimi.

Top Channel