Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj nuk arrin që të zbatojë as urdhrin që firmoset nga vetë dora e tij. Më 14 dhjetor të 2018, ministri u zotua se do të heqë nga rrugët e vendit postblloqet e Policisë Rrugore si dhe të shmangte vendosjen e efektivëve në kryqëzime, të cilët dublojnë semaforët.

Kërkesa për ndryshim radikal të kontrollit të qarkullimit rrugor iu përcoll përmes një shkrese drejtorit të përgjithshëm, Ardi Veliu.

Sipas Lleshajt, prania e policisë në numër të tepruar dhe statike, u jep rrugëve një pamje jo normale, të ndryshme nga ato të vendeve europiane dhe krijon përshtypjen e gabuar të një policie shumë të madhe, ndërsa raportet e numrit të policëve për frymë në vendin tonë janë më të ultat në rajon.

“Edhe polici në kryqëzim duke dubluar semaforin, ndikon në edukim të gabuar të përdoruesve të rrugës”, thuhej në urdhrin e Lleshaj.

Po çfarë ndodh sot pas këtij urdhri, që siç duket nuk gjen zbatim. Policia Rrugore vazhdon që të kryejë shërbime në postblloqe dhe njëkohësisht të dublojë semaforët me efektivë policie. Kjo është shumë e dukshme, ku në kryqëzimet kyçe të Tiranës, Policia Rrugore vazhdon që të bëjë të njëjtën gjë, duke mos vënë në zbatim urdhrin e ministrit Lleshaj.

Një tjetër urdhër aspak ligjor, i kërkuar nga Lleshaj është fshehja e ngjarjeve të policisë. Në faqen e Policisë së Shtetit nuk publikohet më asgjë që ndodh në vend dhe zëdhënësit e tij, nuk lejohen që t’iu dërgojnë medias krimet e ndodhura, raporton gazeta “Shqip”.

Top Channel