Me gjithë fluksin dhe problematikën e radhëve të gjata, që prej nisjes së procesit për rinovimin e kartave të identitetit, rreth 60 mijë qytetarë rezulton ta kenë kryer aplikimin.

“Sot që flasim, mbi 3.000 shtetas kryejnë aplikimin çdo ditë në zyrat e Gjendjes Civile”, tha Bledar Doracaj, drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile.

Probleme me radhët ka pasur jo vetëm në kryeqytet, por edhe në Vlorë, siç raportoi të mërkurën Top Channel.

“Në Tiranë kemi hapur zyra dhe sportele të reja. Në njësitë 3 dhe 4, ku kishte problem për shkak se aplikonte edhe Njësia 1, shtuam një zyrë dhe hoqëm Njësinë 1”, tha më tej Doracaj.

Shqetësimit të qytetarëve për dorëzimin e kartave, edhe kur ato nuk kanë skaduar dhe kanë afat një ose dy muaj, Doracaj i përgjigjet kështu:

“Në momentin që bëhet aplikimi, dokumenti del automatikisht jashtë përdorimit, pasi është sistemi i tillë”.

Në muajin mars skadojnë 1.4 milionë karta identiteti, ndërsa Ministria e Brendshme ka njoftuar se zyrat e Gjendjes Civile do të jenë të hapura në kryeqytet edhe ditëve të shtuna.

Top Channel