Gjykata për Krimet e Rënda caktoi seancën paraprake për Klement Balilin, që do të mbahet më 25 janar.

Në këtë seancë, gjyqtarja Miliana Muça do të shprehet nëse do ta kalojë apo jo në gjykim, dosjen hetimore të Prokurorisë, e cila deklaroi mbylljen e hetimeve pikërisht ditën që 46-vjeçari iu dorëzua policisë.

Por, mbyllja e hetimeve për Balilin, pas ndryshimeve të Reformës në Drejtësi duhet të vendoset nga gjykata, ndaj Klement Balili do ta presë këtë zhvillim nga Paraburgimi 302, aty ku po mbahet derisa çështja të zgjidhet në themel.

Balilit i adresohen 4 akuza, por ai i kundërshton të katërta me pretendimin se nuk ka kryer asnjë vepër penale, sa kohë edhe avokatët këmbëngulin se nuk ka prova.

Por, ndërkohë, Prokuroria iu referohet hetimeve greke që e ekspozojnë Klement Balilin si njeriun që trafikoi 678 kilogramë kanabis, një ngarkesë që u kalua nga brigjet e Sarandës më 5 maj të vitit 2016.

Nga përgjimet, Klement Balili shfaqet duke komunikuar me dy skafistët, kur i orienton se ata i priste në Zakinthos, Georgis Alifantis.

Top Channel