Prokuroria e Lezhës heton qytetaren dy herë për të njëjtën çështje, por s’heton origjinën e 400 mijë eurove

17/01/2019 20:43

Histori pronash, mashtrime, fatura fiktive, certifikata të falsifikuara, evazion fiskal dhe disa pikëpyetje për hetimin e kryer nga prokuroria e Lezhës për këto çështje. Mirela Marku denoncon në Fiks Fare Prokurorinë e Lezhës për shkelje të procedurave dhe mos hetim të drejtë në çështjen e saj.

Qytetarja nga Lezha bashkë me bashkëshortin dhe fëmijët zotëron një pasuri me certifikatë pronësie, hotel buzë detit në Kune. Ajo dhe familja e saj në vitin 2011, u njohën me një shqiptar të Maqedonisë i cili jetonte në Zvicër, Abush Beadinin. Ai sipas saj ju afrua si një zotëri i cili kishte ndërmend të blinte shumë prona në këtë zonë. Ndër të tjera edhe tokën mbi të cilin ishte ndërtuar hoteli 3 kate i cili ishte në proces legalizimi.

Pasi bëjnë një kontratë shitblerje, Abush Beadini krijon një kompani, për të blerë prona, dhe administrator vendos zonjën Marku. Duke i lënë asaj kështu prokurë për të bërë blerje në emër të kompanisë. Pas një viti disa prej certifikatave dolën me probleme dhe zotëria e akuzon Mirelën dhe burrin e saj për mashtrim.

Gjithsej ai i ka dhënë Mirelës rreth 500 mijë euro të kaluara me bankë dhe 300 mijë euro në dorë. Ai gjithashtu ngre pretendimin se zonja ka shënuar të tjera shuma në kontratat e shit-blerjes dhe ai ka paguar të tjera shuma nëpërmjet bankës.

Në 2014, shtetasi Abush Beadini, i cili i kishte lënë Mirelës një prokurë të përgjithshme për të blerë prona në emër të tij, bën një kallëzim penal pranë prokurorisë Lezhë për dy persona. Mirela Marku, dhe bashkëshortin e saj. Në 2015 këtij kallëzimi i bashkëngjitet edhe një shtesë kallëzimi i firmosur nga ai vet. Për këtë çështje Mirela dënohet ndërsa bashkëshorti shpallet i pafajshëm.

Në 2017, Abush Beadini bën një tjetër kallëzim penal, identik në çdo fjalë më shtesën e kallëzimit të bërë në vitin 2015. Sipas Mirela Markut në intervistën e dhënë për Fiks Fare, prokuroria e heton çështjen për rreth 10 ditë. Duke mos gjetur zgjidhje tek drejtësia, Mirela kërkoi ndihmën e Fiksit për ta zbardhur këtë çështje.

Lidhur me pretendimet e zonjës, Fiks Fare ju drejtua Prokurorisë Lezhë, por në përgjigjen zyrtare ata konfirmojnë se zonja Mirela Marku nuk është hetuar dy herë për të njëjtën çështje.

Ndërkohë që shtesa e kallëzimit e vitit 2014, që mban datën 15.04.2015 është fjalë për fjalë e njëjtë me kallëzimin e bërë kundër zonjës në vitin 2017.

Gjithashtu Fiks Fare u interesua edhe pranë Gjykatës Lezhë. Kjo gjykatë ka 5 gjykatës në dispozicion. Të pestë kanë hequr dorë nga gjykimi i dytë i Mirela Markut, katër prej të cilëve e kanë specifikuar në kërkesën e tyre që kërkojnë të heqin dorë nga gjykimi, pasi bëhet fjalë për të njëjtat ngjarje dhe subjekte. Ndërsa njëri gjykatës është përjashtuar, pasi ka marrë vendim për seancën paraprake. KLD pas kërkesës së Lezhës ,këtë çështje ja ka deleguar gjyqtarit Ded Miri, gjykatës në Laç.

Faturat që pretendohen se janë firmosur nga Mirela Marku në momentin që i janë dhënë lekët në dorë jo vetëm që nuk janë hetuar nga prokuroria, por janë anashkaluar disa fakte që të lënë të dyshosh që këto fatura janë fiktive.

Fatura e parë është firmosur nga Abush Beadini dhe Mirela Marku, për një shumë prej 36 mijë frangash. Kjo faturë mban datën 27 gusht 2013, Shëngjin, Lezhë. Është e vulosur me vulën e kompanisë BEADINI, me numër Nipti L38310501M. Por sipas dokumenteve që ne verifikuam në Qendrën Kombëtare të Biznesit, sipas dokumenteve të depozituara aty, kjo kompani datën e themelimit e ka më 04/09/2013. Ndaj natyrshëm lind pyetja se si është vulosur kjo faturë 5 ditë para themelimit, kur ende kompania BEADINI nuk kishte marrë një numër Nipti.

Por për këtë pagesë Abush Beadini i kontaktuar nga Fiksi mbajti një tjetër qëndrim. Ai deklaron se të gjitha këto kërkesa dhe fatura janë mbajtur nga Mirela dhe ai ka bërë çfarë i ka thënë ajo.

Fatura e dytë prej 180 mijë frangash është vetëm një copë letër dhe nuk ka asnjë transaksion bankar që të vërtetojë që Abush Beadini i zotëronte ato. Ai thotë se ja ka dorëzuar asaj në Zvicër. Por faktikisht me datë 11.09.2013 Mirela Marku nuk ka asnjë vulë në pasaportë që të vërtetojë se ka qenë në Zvicër gjatë kësaj periudhe.

Nëse është vërtetuar origjina e këtyre parave Fiksi pyeti edhe në prokurorinë e Lezhës, por kjo e fundit në përgjigjen zyrtare shprehet “Duke qenë se transferta është bërë në Zvicër, deklarimin në doganë duhet ta bënte shtetasja Mirela Marku. Ne lidhje me Mirelën, ajo nuk e ka pranuar se i ka marrë atë sasi parash dhe nuk kemi dijeni se ku i ka dërguar, i ka futur apo jo në Shqipëri. Prandaj nuk kemi çfarë të hetojmë për këtë rast.”

Fatura e tretë, prej 124 mijë frangash, shënohet të jetë mbajtur në Lezhë, me 28.10.2013, për pagesën e pasurisë me numër 3/623 dhe pasurisë 3/364. Sipas Mirelës këto numra pasuria i ka një ditë më vonë. Këtë gjë e vërteton edhe ZRPP Lezhë. Në përgjigjen zyrtare të dërguar pranë Fiks Fare , sipas titullarit të institucionit kjo pasuri, numrat e shënuar në faturë i ka marrë vetëm me datë 29.10.2013, dhe po sipas kësaj zyre dhe dokumenteve që disponon askush nuk ka patur mundësi t’i dijë këto numra një ditë më parë. Pas përpjesëtimit të pasurisë as vetë regjistruesi nuk ka patur nga ta dijë se çfarë numrash do merrte pasuria. Edhe për ketë faturë Z. Beadini pretendoi që kështu ja kërkoi Mirela ta shënonte.

Ndërsa për sa i takon vlerave më të ulta në kontratat e shitblerjes dhe më të larta në pagesa, edhe noteri pranon që ka shkruar në to çfarë kanë kërkuar klientët.

Mirela Marku disponon një pagesë për një pronë, që është bërë në llogari të noterit Vasil Martini, rreth 130 milion lekë, ndërkohe në kontratën e shitblerjes është shënuar shumë më pak. Noteri në fillim duket sikur nuk e mban mend se sa është shënuar në kontratë, por më vonë gjatë bisedës që zhvillohet në kamerën e fshehtë ai e pranon që ka shkruar ato që kanë kërkuar klientët.

Abush Beadini, i cili u kontaktua nga Fiksi, mohoi çdo gjë, madje mohoi edhe të këtë firmosur shtesën e kallëzimit të vitit 2015 që mban edhe vulën e Prokurorisë Lëzhë. Ky kallëzim është i njëjtë me kallëzimin e vitit 2017 pa hequr apo shtuar një pikë. Dokument ky që ka dalë nga prokuroria. Ai gjithashtu pretendon se nuk ka patur dijeni për kontratat noteriale që janë më pak se pagesat që ai ka bërë për pronat. Ndërsa për një kontratë ku ka firmosur edhe vet ai thotë se aty është shënuar 24 milionë, por duke mos ditur se sa ishte kursi i ka dhënë 36 mijë franga Mirelës. Kur ballafaqohet me faturat ai anashkalon të përgjigjet duke thënë gjithmonë që i ka bërë Mirela, pasi ajo ishte administratorja.

Top Channel