Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë në Bashkimin Europian, Johannes Hahn viziton këtë të enjte Kosovën.

Hahn është paralajmëruar se do të zhvillojë një takim me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai do të qëndrojë në Kosovë në kohën kur Qeveria e Prishtinës nuk është tërhequr nga vendimi për taksën prej 100 për qind mbi produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.

Vendosja e kësaj takse doganore ka shkaktuar reagime të ashpra nga mekanizmat ndërkombëtarë.

Vet kryeministri Haradinaj, në prag të vizitës së tij është shprehur se i mirëpret sugjerimet e komisionerit Hahn për taksën.

“Kosova ka arritje në agjendën europiane. Kemi një agjendë dhe ju e dini që MSA-në e kemi kthyer në ERA. ERA1 është zbatuar, ERA2 ka filluar. Komisioneri është palë për Kosovën në këtë agjendë. Njëkohësisht, Kosova ka një agjendë me BE-në për liberalizimin e vizave, teksa ne kemi përmbushur të gjitha kushtet. Tani ka lindur edhe një temë e re, që është taksa. Taksa lidhet me njohjen nga Serbia, jo me këto dy të parat. Ndaj mirëpresim çdo sugjerim, çdo këshillë, edhe mundësinë për të biseduar me komisionerin Hahn”, tha Haradinaj.

Ndërkohë Serbia, e cila para vendosjes së kësaj takse eksportonte mallra në Kosovë në vlerë mbi 1 milion euro në ditë, ka kërkuar heqjen e taksës, si kusht për vazhdimin e dialogut ndërmjet dy shteteve.

Top Channel