Deputetët dhe ministrat janë sonte në fokusin e Top Story, që ndryshe nga se i kemi parë deri tani, ata janë të zhveshur dhe të trajtuar në një këndvështrim tjetër. Kualifikimi, diplomat dhe niveli intelektual i tyre lënë për të dëshiruar.

Top Story iu referua raporteve që janë nxjerr nga “Instituti Studimeve Politike” lidhur me kualifikimin e politikaneve tanë.

Nga raporti rezulton se, parlamenti i ri, i dalë nga zgjedhjet e vitit 2017, përbëhet me 36 deputetë juristë, ku një pjesë e tyre kanë mbaruar tek Universiteti Kristal. Më pas vijnë ekonomistët dhe financierët me 31 deputetë. Të tjerët kanë mbaruar profile të ndryshme.

Në pamje të parë kjo pasqyrë duket mjaft e kompletuar. Me 36 juristë duket se funksioni kryesor i Parlamentit, shqyrtimi dhe miratimi i ligjeve, është i përmbushur. Po ashtu edhe në çështjet ekonomike.

Por, në brendësi raporti i “Institutit të Studimeve Politike” tregon që ky nivel arsimimi është në fakt fiktiv. Le të shohim vetëm ata deputetë që kanë mbaruar për juridik. Nga 36 deputetë në këtë fushë, 12 e kanë fakultet të dytë, kryesisht “part-time”. 15 deputetë kanë përfunduar studimet juridike në universitete private, përfshirë në tre universitete të mbyllura dhe me pronarë të arrestuar për shitje diplomash. Pra, kemi shumë juristë, por kualifikimi i tyre në këtë fushë mbetet me pikëpyetje, duke marrë parasysh nivelin e universiteteve që kanë ndjekur. Por, problemet shkojnë edhe më thellë se kaq.

“Kanë deklaruar fakultete fiktive dhe adresa fiktive universitetesh, madje edhe me emërtime të gabuara të universiteteve reale, ose kanë deklaruar që kanë kryer kurse dhe specializime në univerisitete jo reale që nuk ekzistojnë dhe nuk gjenden në asnjë lloj adrese interneti. Ose rezulton që në të njëjtën kohë që kanë deklaruar që punojnë diku, kanë qenë drejtues, në të njëjtën kohë figurojnë në një shtet tjetër për studime, gjë që është e pamundur për të ndodhur”, shprehet për Top Story Afrim Krasniqi.

Top Channel