Mbrëmjen e kësaj të mërkure do të zhvillohet ndeshja e Superkupës së Italisë, mes Milanit dhe Juventusit, në stadiumin “Mbreti Abdullah” e Arabisë Saudite.

Me një diferencë 22-pikëshe në kampionat, e ndoshta po kaq të madhe edhe sa i përket cilësisë, Juventusi i Cristiano Ronaldos është pretendent përballë Milanit për këtë ndeshje, edhe pse ky trofe ka rezervuar jo pak herë surpriza.

Mungesa e Susos për kuqezinjtë, njeriut nga i cili kalon e gjithë loja e Milanit, bën që vëmendja të shkojë te maja e sulmit, argjentinasi Higuain.

Gattuso ka kërkuar përqëndrim maksimal përballë skuadrës që ka fituar çdo gjë vitet e fundit në Itali, e vetëm në Superkupë duket të ketë ulur disi ritmin, si kur humbi me Napolin në vitin 2014, ashtu dhe me Milanin në vitin 2016, apo sezonin e shkuar me Lazion.

Gjithçka është e ezauruar për mbrëmjen e sotme në stadiumin “Mbreti Abdullah”, i cili ka një kapacitet prej 60 mijë vendesh. Ndryshe nga përballjet në çdo garë tjetër në Superkupë, Milani dhe Juventusi kanë nga 7 trofe secila, duke e kthyer edhe në një garë për të fituar dominimin në këtë sfidë.

Në letër, diferencat janë të mëdha, e kjo mjafton të përmendësh emra si Chiellini, Dybala, Cristiano Ronaldo dhe Pjaniç, ndërsa te Milani dalin në pah Romagnoli, Kessie, Bakayoko dhe Higuain. Skuadra e parë sulmon dhe e dyta mbrohet.

Një ndeshje për të mos u humbur, në përballjen e dy prej skuadrave më të mëdha të futbollit italian, për një trofe shumë të rëndësishëm. Gjithçka nga Arabia Saudite, ku do të luhet kjo ndeshje në orën 18:30, do të mund ta ndiqni në paketën “Supersport” të platformës “Digitalb”.

Top Channel