Udhëheqësit e Bashkimit Europian i kërkuan Britanisë të vendosë shpejt sesi do të evitojë “Brexit”-in pa marrëveshje, pasi Parlamenti britanik refuzoi planin e arritur me shumë mund të tërheqjes nga Theresa May.

“I kërkoj Mbretërisë së Bashkuar të qartësojë qëllimet e saj sa më shpejt që të jetë e mundur, koha po mbaron”, paralajmëroi Jean-Claude Juncker, president i Komisionit Europian, duke shtuar se Brukseli do të hartojë një plan rezervë.

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, që përfaqëson krerët e vendeve anëtare, u përqëndrua te dështimi i kryeministres Theresa May për t’ia shitur planin e saj të “Brexit”-it ligjvënësve, e për të sugjeruar qëndrimin e Britanisë në union.

“Nëse një marrëveshje është e pamundur, e nëse askush nuk do një marrëveshje, atëherë duhet të kemi kurajon të themi se cila është e vetmja zgjidhje pozitive”, shkroi ai në Twitter.

Kryenegociatori i BE-së, Michel Barnier paralajmëroi ndërkohë se refuzimi i Parlamentit britanik rrit rrezikun e daljes së Britanisë nga BE-ja pa asnjë marrëveshje.

“Kanë mbetur edhe 10 javë nga dalja e Britanisë nga blloku, e rreziku i skenarit pa marrëveshje është shumë i lartë. Qëllimi ynë është që të evitojmë një skenar të tillë, por ne kemi edhe përgjegjësinë për të mbetur të kthjellët, gjë për të cilën do të intensifikojmë përpjekjet, në mënyrë që të jemi të përgatitur në çdo rast”, tha Michel Barnier, kryenegociatori i BE-së për “Brexit”-in.

Ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz, në emër të ekonomisë më të madhe të BE-së e quajti votimin në Parlamentin britanik “një ditë të hidhur për Europën”, ndërsa presidenti francez, Emmanuel Macron paralajmëroi për rreziqet e referendumeve, e tha se fushata e “Brexit”-it ishte manipuluar nga jashtë, prej atyre që ne i quajmë tani “Fake News”.

Edhe kancelari austriak, Sebastian Kurz shprehu keqardhjen në “Twitter”. “Megjithatë, nuk do të ketë hapje të negociatave”, shkruante ai.

Top Channel