Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, dhe kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla, prezantuan Prefektin e ri të Qarkut të Elbasanit, Gledian Llatja, i cili së fundmi mbante detyrën e shefit të kabinetit në Ministrinë e Energjetikës.

Kjo lëvizje e papritur e kryeministrit, vetëm pak muaj larg zgjedhjeve vendore, e bën emrin e prefektit një kandidat potencial për postin e kryetarit të Bashkisë së Elbasanit.

Një mundësi të tillë nuk e përjashtoi as Balla, i cili u shpreh se, nëse ekziston dëshira e Llatjas, emri i tij, ashtu si dhe i kandidatëve të tjerë, do të konsultohet me qytetarët.

Në marrjen e detyrës së re, Gledian Llatja tha se do të përpiqet të plotësojë të gjitha pritshmëritë në drejtimin e institucionit të prefektit.

Ministri Sandër Lleshaj e cilësoi këtë lëvizje të beftë të kryeministrit, si një mundësi të mirë për t’i dhënë një frymë të re Prefekturës së Elbasanit.

“Djali i Elbasanit” Gledian Llatja, pasi ka mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës për drejtësi, ka pasur një karrierë në disa institucione të rëndësishme në kryeqytet. Emërimi në postin e Prefektit të Elbasanit shihet si një mundësi promovimi dhe njohjeje në qytet, me kandidatin më potencial për Bashkinë e Elbasanit.

Gledian Llatja zëvendëson Maksim Malajn në Prefekturën e Elbasanit.

Top Channel