Ambiciet e Tottenham për të mbajtur një vend që të kualifikon në Ligën e kampioneve kanë pësuar një goditje serioze, me dëmtimin e futbollistit më të vlefshëm të ekipit, Harry Kane.

Sulmuesi i kombëtares angleze do të rikthehet vetëm në javët e para të muajit Mars, pas problemeve që vuajti në ndeshjen e humbur kundër Manchester United në stadiumin Uembli.

Bomberi i “Spurs” e ka përkeqësuar dëmtimin e tij në kavilje dhe stafi mjekësor ka udhëzuar një rikuperim të gjatë që do të cenojë dhe planet e trajnerit Mauricio Pocetino. Sulmuesi Harry Kane është futbollisti më efikas i Tottenham dhe falë 20 golave të tij, kjo skuadër mbetet një pretendente serioze.

Ai do të mungojë në ndeshjen e Ligës së kampioneve ndaj Borusias së Dortmundit, por trajneri i Spërs, po shpreson ta rikuperojë për kthimin ndaj gjermanëve.

Mungesa e Harry Kane në këto javë në Premier Ligën angleze, i shtohet koreano-jugorit Son që ka fluturuar në Emiratet Arabe, për impenjimin me kombëtaren në Kupën e Azisë.

Top Channel