Pas konvikteve të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Mjekësisë, ka nisur puna për rikonstruksionin e godinës numër 5 në konviktet e Qytetit Studenti.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka inspektuar punimet dhe ka biseduar me studentët, duke iu kërkuar të mos bëhen pjesë e politikës.

“Është shumë e rëndësishme që të rikuperohen ditët e humbura të mësimit gjatë periudhës së dhjetorit. E dyta, për ato pak fakultete ku ende ka bllokim të mësimit, studentët duhet të kuptojnë, jo për çështje politike, por për çështje praktike se, nëse nuk na lirohen dhomat në korrik dhe mësimi vazhdon gjatë korrikut e gushtit, nuk kemi më kohë që kur të kthehen në vjeshtë t’i gjejnë dhomat e rregulluara. Ndaj, iu bëj apel studentëve të mos mendojnë për partitë, të mendoni për interesin tuaj, sepse sa më shpejt të mbarojë viti mësimor dhe të mos shtyhet, aq më shpejt mbarojnë dhomat tuaja, që në tetor të fillojnë të gjithë në ambiente shumë më komode”, tha Veliaj.

Aktualisht po ndërhyhet në ambientet e përbashkëta të godinës, si dushe, korridore dhe tualete, për të ndërhyrë nëpër dhoma gjatë sezonit të verës, kur studentët të jenë larguar. Veliaj tha se, ashtu si me çerdhet, edhe me konviktet po aplikohet projekti “Adapto një konvikt”.

Për këtë, ai u bën thirrje të gjithë kompanive dhe bizneseve private të kontribuojnë për të rikonstruktuar godinat e studentëve.

Top Channel